Tottenhami përmbys Arsenalin
Tottenhami ka bërë mrekullinë duke u rikthyer nga disavantazhi 2-0 në pjesë të parë, për të shënuar fitore me rezultat 3-2 në derbin e Londrës Veriore të zhvilluar në Emirates.
Mysafirët patën rastin e parë të mirë, kur pas katër minutash lojë goditja e Gareth Bale përfundoi në duart e portierit Fabiansky. Por, pesë minuta më vonë, portieri i Tottenhamit, Huerelho Gomes, bëri gafë duke mos e kapur si duhet një pasim të Cesc Fabregas, me Samir Nasri që shënoi për t’i dhënë avantazhin ekipit vendas (9’).
Arsenali krijoi një rast të mirë pas 22 minutash lojë, kur pas një pasimi të Alex Song, Fabregas për mrekulli shmangi mbrojtjen mysafire, por goditja e tij ishte e plogësht duke përfunduar jashtë portës së Gomes. Epërsinë për vendasit e dyfishoi përforcimi i verës, Marouane Chamackh pas një asistimi të Andrei Ashavin (27’).
Atë që nuk bënë në fillim të pjesës së parë, Spurs e bënë në pjesën e dytë, kur po pas një pasimi të Rafael van Der Vaart, Bale kësaj here dërgon topin në rrjetën e Fabianskit (50’).
Pasi shkëlqeu në pjesën e parë, Fabregas bëri gafën më të madhe në pjesën e dytë, duke ndaluar me krah një goditje të lirë të Van der Vaart, ndërsa holandezi ishte i saktë nga pika e bardhë për të barazuar rezultatin (67’).
Por momenti që heshti të gjithë fansat në Emirates ishte goli i tretë dhe i fitores për ekipin mysafir. Protagonist edhe kësaj here ishte Van der Vaart, harkimi i të cilit nga gjuajtja e lirë u dërgua në rrjet nga Younes Kaboul (86’).
Të zgjedhurit e trajnerit Arsene Wenger krijuar një mori rastesh në minutat e fundit të ndeshjes, por pa sukses për të realizuar.
Fitorja është e para e Tottenhamit në udhëtim te Arsenali që nga viti 1993 dhe e ngre ekipin në pozitën e pestë me 22 pikë, sa ka edhe City në pozitën e katërt. Arsenali, me humbjen e sotme, nuk arrin të shijojë kreun dhe mbetet në pozitën e dytë, të cilën madje rrezikon ta humbasë nëse Manchester United më vonë shënon fitore ndaj Wigan Athletic.
Category: Futboll
0 Komente