Roma pranë vendit të katërt

dardanmiftari | Sunday, May 01, 2011 | 0 Komente

Giallorossët janë rikthyer dy herë nga disavantazhi për ta mposhtur Barin me rezultat 3-2 dhe për t’iu afruar pozitës që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Në takimin e zhvilluar në Stadio Comunale San Nicola, të parët kaluan në epërsi vendasit pas ekzekutimit të penaltisë nga Simone Bentivoglio (25’).
Pas gjysmë ore lojë, ikona romake Francesco Totti barazoi rezultatin. Mirëpo Erik Huseklepp shënoi (42’) për të kthyer epërsinë e Barit dhe për të vendosur rezultatin e pjesës së parë.
Porsa filloi pjesa e dytë (48’), Daniele De Rossi u përjashtua me karton të kuq, mirëpo mysafirët vazhduan të kërkonin golin dhe këtë e arritën në minutën e 57-të, kur Francesco Totti realizoi golin e dytë, këtë herë nga pika e bardhë. Në minutën e 78-të u përjashtua nga loja lojtari vendas Kamil Glik, ndërsa për Romën u akordua penalti, mirëpo kësaj radhe Totti dështoi të shënonte, pasi goditjen e tij e mbrojti portieri Jean-François Gillet.
Në minutat shtesë (90’+1), romakët mbetën edhe pa Simone Perrottan, i cili u përjashtua me karton të kuq, megjithatë shpirti luftarak i tyre bëri që ta fitonin ndeshjen, pasi që Aleandro Rosi realizoi golin e fitores (90’+4), pas asistimit të John Arne Riise.
Pas kësaj fitoreje, Roma është vetëm një pikë larg vendit të katërt që e mban Lazio, e që të hënën zhvillon takimin e vështirë kundër Juventusit.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...