Menezes: Ronaldinho është lojtar i klasit
Trajneri i përfaqësuese së Brazilit në futboll, Mano Menezes, shprehet optimist se Ronaldinho mund të rikthejë formën e tij të vjetër dhe ta dëshmojë veten si një prej lojtarëve kyç të ekipit të tij.
31-vjeçari, i cili u la jashtë finaleve të Kupës Botërore 2010 në Afrikën e Jugut dhe që atëherë ka luajtur vetëm një herë në disfatën 1-0 nga Argjentina, është përfshirë në ekipin e Menezes për miqësoren ndaj Ganës që zhvillohet sonte në Craven Cottage të Londrës.
Megjithatë, ish-ylli i Paris Saint-Germain, Barcelonës dhe Milanit, ka rikthyer formën duke shënuar 15 herë për Flamengon dhe Menezes ka shpjeguar se ai meriton të veshë fanellën kombëtare edhe njëherë.
“Ronaldinho është kampion i botës me Brazilin [Kupa Botërore 2002] dhe pas rikthimit të tij në vendlindje ai është rikthyer në formë dhe ka luajtur shumë mirë. Ai po bëhet një prej lojtarëve më të mirë të sezonit dhe siç ka qenë i suksesshëm me Flamengo ai mund ta ndihmojë edhe ekipin kombëtar”, ka thënë Menezes për AFP.
Category: Futboll
0 Komente