Del Piero ta vazhdojë karrierën në SHBA, Kinë apo Japoni
Alessandro Del Piero ka vendosur që të transferohet në Kinë, Japoni ose SHBA pas përfundimit të kontratës me Juventusin në fund të sezonit aktual - raporton Goal.com.
Presidenti i Juves, Andrea Agnelli, e ka bërë të qartë se sulmuesit italian nuk do t’i ofrohet kontratë tjetër në fund të sezonit dhe që atëherë ka pasur spekulime rreth të ardhmes së tij.
Ikona e Zonjës së Vjetër është i hapur për të kaluar te ndonjë top-klub evropian, por me kusht që ta paguajnë së paku 2.5 milionë euro për sezon dhe derisa diçka e tillë vështirë se mund të ndodhë duke pasur parasysh moshën e tij, 37-vjeçari po planifikon ta vazhdojë karrierën në ndonjë vend ku nuk kërkohet shumë nga ai dhe ku do të paguhet mirë.
LA Galaxy është e gatshme t’i ofrojë pesë milionë euro në sezon Del Pieros, ndërkohë që edhe klubet kineze mund të plotësojnë kërkesat financiare të tij. Nga ana tjetër, Del Piero është mjaft i pëlqyer në Japoni, ku megjithatë asnjë lojtar nuk merr më shumë se dy milionë euro në sezon.
Vendimi i drejtuesve të Juventusit për ta larguar Del Pieron, i cili bart fanellën bardhezi që nga viti 1993, i ka befasuar shumë tifozë, duke qenë se ai ka shkruar historinë me Bianconerët duke u bërë lojtari me më shumë paraqitje dhe me më shumë gola të shënuar në histori të këtij klubi.
Category: Futboll
0 Komente