Drogba konfirmon: Do të luaj për Shanghai Shenhua
Didier Drogba ka konfirmuar lëvizjen e tij të pritur nga Chelsea te klubi kinez Shanghai Shenhua.
Sulmuesi 34-vjeçar ka publikuar një deklaratë në faqen e tij, duke konfirmuar se ka nënshkruar kontratë dyvjeçare e gjysmë me klubin kinez dhe pritet t’i bashkohet ekipit në korrik.
“I kam menduar të gjitha ofertat që kam pranuar në disa javët e kaluara, por mendoj se Shanghai Shenhua FC është hapi i duhur për mua për momentin”.
“Mezi pres këtë sfidë të re, të përjetoj një kulturë të re dhe jam i ngazëllyer për zhvillimet e reja në Superligën Kineze”.
“Kur Chelsea udhëtoi në Kinë vitin e kaluar, ne kaluam kohë të shkëlqyeshme dhe kam takuar disa tifozë të mrekullueshëm. Shpresoj të ndihmoj promovimin e futbollit kinez gjithkund në botë dhe një përmirësim të lidhjeve në mes të Kinës dhe Afrikës”, ka thënë Drogba.
Category: Futboll
0 Komente