Majlinda fajëson presionin për dështimin
Ajo mbetet krenaria e sportit shqiptar. Xhudistja Majlinda Kelmendi trajneri i saj Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, janë kthyer të enjten nga Londra, ku morën pjesë në Lojërat Olimpike “Londra 2012”. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, u pritën nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Memli Krasniqi, i cili edhe njëherësh u zotua se pavarësisht rezultatit të arritur do të vazhdojë ta përkrahë, siç tha ai, krenarinë e kombit shqiptar.
Ministri Krasniqi vlerësoi lart punën e Federatë së Xhudos dhe xhudistes pejane Majlinda Kelmendi, e cila edhe pse pa ndonjë sukses të madh arriti për herë të parë të marrë pjesë në një olimpiadë.
Krasniqi tha se Majlinda Kelmendi ka qenë, është dhe do të mbetet krenaria e sportit të Kosovës dhe po ashtu një frymëzim i gjallë për mijëra sportistë të Kosovës që do t’i frymëzojë në vazhdimësi dhe do të ndikojë që të punojnë sa më shumë për të realizuar ëndrrat e tyre ashtu siç i ka realizuar Majlinda.
Ministri Krasniqi tha se pa marrë parasysh rezultateve të arritura, Ministria që ai drejton edhe në të ardhmen do të vazhdojë ta përkrahë Federatën e Xhudos dhe Majlindën.
“Do të vazhdojmë të jemi bashkërisht edhe në sfidat e radhës dhe padyshim që përkrahja që i kemi dhënë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Suksesi i Majlindës është sukses definitivisht i gjithë sportit të Kosovës, sepse siç e kam thënë fytyra e Majlindës është fytyra e sportit të Kosovës. Ajo ka vazhduar dhe po vazhdon që me sukseset dhe talentin e saj të jetë një lobues i pazëvendësueshëm për sportin e Kosovës, për qarjen e izolimit të sportit dhe ndërkombëtarizimit të tij. Në ditët e fundit, mediumet më të rëndësishme botërore kanë vazhduar të shkruajnë për Majlindën, për sfidën e saj, për problemet që i ka pasur në përfaqësimin e Kosovës”, ka thënë ai.
Krasniqi shtoi se tash e tutje Majlinda do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës, pasi që Federata e Xhudos së Kosovës është e pranuar në Federatën Ndërkombëtare dhe ka të drejta të barabarta me të gjitha federatat e tjera.
Sportistja më e suksesshme shqiptare Majlinda Kelmendi duke rrëfyer për paraqitjen e saj në Lojërat Olpimpike “Londra 2012’, tha se nuk është e kënaqur me atë se çfarë ka arritur, mirëpo shtoi se dita e 29 korrikut ka qenë e pafat për të.
“E di që suksesi apo mossuksesi i lojërave olimpike nuk ka qenë rezultat që e kemi prit. Ndoshta nuk ka qenë dita ime me fat, pasi që nuk ka ndodh asnjëherë që të humbi nga një garuese që nuk është në nivelin tim, mirëpo e ceka më herët ka qenë ditë pa fat dhe koncentrimi i pamjaftueshëm. Vetë prezenca në Lojërat Olimpike është ngarkesë psikike, sidomos kur është hera e parë dhe kur e din që presin dy shtete prej teje. Përkrahja ka qenë e madhe edhe në Shqipëri, ku edhe kryeministri Berisha më ka thënë se je personi që presim medale dhe krejt shqiptarët besojnë në ty”, ka thënë ajo.
Majlinda tha se humbja nga garuesja Christianne Legentil nga Mauritania do të jetë një mësim për të dhe do të mbetët gjatë në kujtesën e saj, por edhe të trajnerit të saj Dritan Kuka.
Trajneri Dritan Kuka e arsyetoi gabimin e Majlindës, duke thënë se të gjithë sportistëve të mëdhenj u ndodhin gjëra të tilla. Megjithatë, Kuka deklaroi se janë arritur dy nga tri qëllimet e tyre, duke përmendur arritjen e normës olimpike, debutimin me fitore të Majlindës në Lojërat Olimpike që po mbahen në Londër, ndërsa shpreson që në vitin 2016 të arrijë edhe qëllimin e tretë, pra marrjen e medales.
“Kemi prit që do të kulmojë me një medale sepse edhe shorti ka qenë shumë i volitshëm, mirëpo ndodhi ajo që askush s’e ka prit. Majlinda pësoi prej një garuese që nuk është as ndër 100 ma të mirat edhe pse ishte duke udhëheq vazari, ajo është sikur me udhëheqë në futboll 5 me 0, por këto ndodhin, ne kemi arrit qëllimin. Qëllimi i parë ka qenë kualifikimi e dyta të debutojë me fitore edhe pse kjo pak u cekë nga mediat. Duhet të vlerësohet se në Lojërat Olimpike është arritur fitorja e parë e Kosovës edhe pse nën petkun kuq e zi. Qëllimi i tretë, medalja na mbetet ta fitojmë në olimpiadën e Rio De Janeiros”, ka thënë ai.
Synimi i tyre është që në vitin 2016 në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Rio De Janeiro, Majlinda ta përfaqësojë Kosovën, mirëpo për këtë ka kërkuar mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe atje të shkojnë si ekip e jo me individ.
Të rikujtojmë se xhudistja kosovare që përfaqësoi Shqipërinë në lojërat olimpike të Londrës, debutoi me fitore, duke mposhtur lehtësisht finlandezen Jaana Sundberg me rezultatin 110-1 në kategorinë 52 kilogram, ndërsa u eliminua r në 1/8 e finales pasi që në luftën e dytë në kategorinë deri në 52 kilogramë ishte mposhtur nga Christianne Legentil nga Mauritania.
0 Komente