Berlusconi tregon dhëmbët, shet tre lojtar për revolucion

Unknown | Thursday, November 15, 2012 |

Milano, 15 nëntor - Do të jetë Silvio Berlusconi personi që do të administrojë manovrat e Milanit në merkaton e janarit. Padroni kuqezi ka vendosur të përveshë vetë mëngët për ta shëruar klubin e tij nga “sëmundja”. Administratori i klubit, Adriano Galliani, e ka bindur të konfirmojë Alegrin, këshillë e cila është pranuar. Tani Berlusconi kërkon të ndërhyjë në sjellje të lojtarëve, por përpara se të blejë në janar, do të shesë lojtarët e panevojshëm. 

Berlusconi dhe Galliani po mendojnë t’ua bëjnë gati valixhet Robinhos, Traores dhe Zapatës. Braziliani do të rikthehet te Santos, i dyti është i destinuar të shkojë te Genoa, ose në Premier League. Ndërsa kolumbiani do të rikthehet me “pako postare” në Spanjë. Paratë e përfituara nga mospagimi i pagave të Robinhos, Traores dhe Zapatës Milani do t’i investojë në prurje të reja. Ndërkohë, Galliani së bashku me Berlusconin po monitorojnë disa futbollistë.

Opsionet në mesfushë - Ëndrra mbetet Miralem Pjaniq. Mesfushori boshnjak i Romës po vuan së tepërmi në kryeqytet. Divorci i tij me Romën është pothuajse i depozituar në Gjykatë. Dhe Milani është gati të paguajë ato nëntë milionë euro që kërkon klubi kryeqytetas për të. Alternativa e boshnjakut është laciali Matuzalem, edhe ky nuk bën më pjesë në planet e trajnerit bardhekaltër, Vladimir Petkoviq. Presidenti i Lazios, Claudio Lotitto në verë kërkonte 1.5 milionë euro për kartonin e tij. Pengesa e vetme është paga e brazilianit, e cila kap shifrat e 1.2 milionë eurove. Por, mesfushori mund të vendosë të reduktojë pagën e tij, nëse i propozohet një kontratë afatgjatë.

Një tjetër mesfushor, të cilin kuqezinjtë po e monitorojnë me kujdes, është argjentinasi Lukas Munhi, i Colon. Mesfushori 20-vjeçar, i cili krahasohet me Riquelmen, e ka bërë për vetë padronin e Milanit. Argjentinasi është shprehur krenar për interesimin e kuqezinjve. Ndërsa klubi është gati të nisë tratativat. Gjithmonë nga Argjentina, mund të vijë edhe një sulmues, ai është Funes Mori. River Plate nuk mund t’ia lejojë vetes ta mbajë më në skuadër yllin e vet, të cilin Ariedo Braida ka kohë që e ndjek. Pra, me pak fjalë, me hapjen e afatit kalimtar të janarit, presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, është gati t’ia ndryshojë “lëkurën” klubit të tij. 

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!