De Biazi: Meritonim të fitonim ndaj Kamerunit

Unknown | Thursday, November 15, 2012 |


Në ndeshjen e fundit për këtë vit, kombëtarja shqiptare ka barazuar 0-0 ndaj Kamerunit, ku u provuan mjaft lojtarë të rinj. Kuqezinjtë ishin shumë pranë fitores
Mund të konsiderohet një provë e rëndësishme dhe e suksesshme miqësorja e zhvilluar mbrëmë në Gjenevë për Shqipërinë. Trajneri i kuqezinjve tanë, Xhani De Biazi, në fund të 90 minutave, deklaroi se ishte i kënaqur me atë çfarë dha ekipi i tij përballë Kamerunit, madje edhe mund të fitonin. Italiani i kombëtares tonë ka vlerësuar shumë perfomancën e të rinjve që u aktivizuan në këtë miqësore, duke shprehur besimin ndaj tyre në të ardhmen.
De Biazi, jeni i kënaqur paraqitjen e Kombëtares, ndaj Kamerunit?
Skuadra po rritet vazhdimisht dhe kjo është shumë pozitive. Unë jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit tim ndaj Kamerunit. Sot (mbrëmë) meritonim edhe të fitonim.
Keni aktivizuar shumë të rinj sonte (mbrëmë), cila është përshtypja e parë e juaja për ta?
Edhe për të rinjtë e aktivizuar sonte (mbrëmë), kam mbetur tepër i kënaqur.
Do të mjaftoheni me kaq apo do të vazhdoni të besoni te ky grup lojtarësh të rinjsh?
Do t’i grumbulloj përsëri, por edhe do t’i ndjek dhe do t’i shoh përsëri nga afër. Ata do të vazhdojnë të jenë në planet e mia, por edhe këta futbollistë të rinj duhet të kenë dëshirë për të punuar dhe për t’u rritur profesionalisht çdo ditë.
Në pjesën e parë skuadra u duk pak e pa qartë, ndërsa të dytën kishte tjetër performancë..?
Po, është e vërtetë. Në pjesën e parë patëm pak vështirësi, ndërsa në të dytën ishim krejt ndryshe. Luajtëm më mirë, e qarkulluam më shumë topin dhe mund të kishim shënuar edhe ndonjë gol, që e meritonim një gjë të tillë. Në pjesën e parë patëm pak frikë nga kundërshtari.  Në të dytën gjithçka ishte krejt ndryshe për ne.
Viti i parë në kye të kuqezinjve, çfarë do të veçonit?
Mund të them se kemi një bilanc pozitiv sa i takon shënimit të golave, ku kemi pësuar vetëm 8-të dhe kemi shënuar 9-të. Për mua, peng vazhdon të mbetet vetëm ndeshja me Islandën, pasi duhej ta kishim fituar këtë takim. Dhe sot do të kishim edhe tri pikë më shumë në renditje. Ky është pengu im i vetëm në këtë vit të parë, apo atë që do të veçoja për këtë periudhë të punës time në Shqipëri.
Arapi-Lilaj, dyshja korçare që bindën De Biazin
Janë pjesë e ekipit kampion, Skënderbeu, ku kanë shkëlqyer me lojën e tyre në Superligë dhe jo rastësisht De Biazi i ka grumbulluar me kombëtaren për miqësoren ndaj Kamerunit. Mbrojtësi i krahut të majtë Renato Arapi dhe mesfushori organizator Sabien Lilaj kanë shkëlqyer mbrëmë, duke lënë përshtypje pozitive te të gjithë.
Me atë çfarë dhanë ndaj Kamerunit, të dy këta lojtarë, do të vazhdojnë të jenë në planet e teknikut të kombëtares shqiptare. Si Arapi, ashtu edhe Lilaj, treguan shumë personalitet në fushë, pozicional dhe të saktë, duke lëshuar sinjalin e qartë se janë të gatshëm për të veshur fanellën e kombëtares edhe në ndeshjet zyrtare.
Italiani i kuqezinjve, pas ndeshjes së mbrëmshme, nuk foli me emra konkretë sa i takon atyre që e bindën në fushë. Megjithatë, dyshja e skuadrës korçare ka bërë një paraqitje shumë të mirë, duke bindur jo vetëm Xhani De Biazin, por edhe të gjithë specialistët. Më atë çfarë dhanë në fushën e lojës, mbrojtësi Renato Arapi dhe Sabien Lilaj treguan se janë e ardhmja e kësaj kombëtareje.

Bala-Vajushi, dyshja perfekte e sulmit kuqezi
Të dy sulmuesit shkodranë luajnë jashtë Shqipërisë. Bekim Bala është pjesë e Spartës së Pragës në Çeki, ndërsa Armando Vajushi luan në Bullgari me Liteksin kanë qenë perfekt në fushë për aq minuta sa u aktivizuan. Me futjen në lojë, në pjesën e dytë, sulmi kuqezi u bë shumë më i rrezikshëm se me dyshen Çani-Sadiku. Dyshja shkodrane ishte mirë në aksionet që ndërmorën.
Kombinime, gjuajtje dhe lëvizshmëri në çdo cep të fushës. Për Balën, ka qenë debutimi i parë me kombëtaren shqiptare, ndërsa për Vajushin është ndeshja e dytë, pasi në vitin 2011-të është aktivizuar për disa minuta në miqësoren e humbur ndaj Argjentinës.
Kështu, Bala dhe Vajushi treguan se mund ta kishin merituar një ftesë në kombëtare edhe më parë. Pas kësaj paraqitjeje, dyshja shkodrane, që mund të konsiderohet një vlerë e shtuar për kuqezinjtë tanë, pret edhe ftesa të tjera për në kombëtare në ndeshjet zyrtare.

Portieri Berisha konsolidon postin e tij si titullar
Mbrëmë ka qenë ndeshja e dytë, që kosovari Etrit Berisha e ka qenë titullar me fanellën kuqezi. Ai ka shkëlqyer me paraqitjen e tij, duke qenë deciziv në disa ndërhyrje përballë sulmuesve kamerunas, ku vlen për t’u veçuar eliminimin e goditjeve të sulmuesit Samuel Eto.
Berisha ka qenë në fushë për 90 minuta dhe me performancën e treguar edhe mbrëmë, ka konsoliduar postin e tij si titullar në portën e Shqipërisë. Nëse deri mbrëmë, ka pasur edhe ndonjë dilemë për aftësitë dhe garancinë, që ofron Etrit Berisha në portën e kuqezinjve, tashmë askush nuk e vë në dyshim, që ai është i denjë për në këtë post si titullar. Etrit Berisha luan me Kalmarin në Suedi, por kohët e fundit është vënë në shënjestër të disa skuadrave të njohura evropiane. Ai mund të lëvizë shumë shpejt nga skuadra aktuale për të vazhduar karrierën diku tjetër.
Tifozët kuqezinj “tkurren” në Gjenevë
Pritej që të ishin më shumë, por numri i tyre ka qenë i vogël. Nuk kanë qenë më shumë se 1 mijë tifozë kuqezinj që e kanë ndjekur mbrëmë kombëtaren shqiptare në Gjenevë. Parashikimet ishin që një numër prej 3 mijë tifozësh të ishin në shkallët e stadiumit, por kjo shifër nuk është arritur. Megjithatë, shqiptarët kanë qenë më të shumtë në numër se tifozët kamerunas. Këta të fundit nuk ishin më shumë se 50 veta. Ndërsa, e gjithë pjesa tjetër e stadiumit ishte bosh.
Gjithsesi, 1 mijë tifozët shqiptar ishin të pajisur me flamuj kombëtar dhe gjatë gjithë kohës nuk pushuan, duke përkrahur kuqezinjtë tanë. Në fund ata i janë gëzuar barazimit 0-0, ku në pjesën e dytë Shqipëria ka qenë më pranë fitores se kundërshtari. Sa herë që kombëtarja shqiptare luan në Zvicër ajo mbështetet nga një numër i konsiderueshëm tifozësh në shkallët e stadiumit. Kësaj radhe, edhe pse ishte një miqësore, pritej që të kishte një numër më të madh.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!