Himara dhe Partizani barazojnë dhe i prishin punë njëra-tjetrës
Nga Spiro Koça
Goli i Pashajt në minutën e 97-të shpëton nderin e të kuqve. Të dy ekipet ankohen për gjykimin, himarjotët për 2 penallti, të kuqtë për lojën e rëndë
Himara – Partizani 1-1
Shënues : Veshaj 75′ / Pashaj 90+7’
Himara : Dergjini, Alo, Qëndro, Gjonbrati, Banushi, Idrizi ( Prifti 30′), Veshaj (Gjondeda 90+6’), Kuçi, Mumajezi, Dervishi, Skënderaj. Trajner: R. Nenaj
Partizani: Malaj, Duqi, Shala, Tafa, Pashaj, Thana, Agolli (Gjoka 60′), Sulçe, Roshi (Hithi 77′), Karakaçi, Braho (Nika 61′). Trajner: N. Çoçlli
Gjyqtarë : A. Koçi, F. Elezi, E. Velo, Xh. Rada (Durrës)
Kartona të verdhë : Mumajezi, Qëndro (2), Veshaj, Banushi / Thana, HIthi
Kartona të kuq : Qëndro 88′
Ndeshja e prapambetur midis Himarës dhe Partizanit, që u zhvillua në Sarandë përfundoi në barazim 1-1, ndonëse të dy ekipet e dëshironin shumë fitoren. Himarjotët ishin shumë pranë, por në minutën e shtatë shtesë goli i kapitenit të Partizanit, Andrelis Pashaj, u heq tripikëshin. Minutat e para nuk kishin ndonjë gjë për të shënuar dhe loja u përqendrua në mesfushë. Pas minutës së 18-të nisin shkëndijat e para me Dervishin e Himarës.
Në minutën e 35-të Braho humb një rast të pastër shënimi. Gjirokastriti i Partizanit me një aksion personal shmang edhe portierin dhe kur mendohej se do përqafonte shokët për shënimin e golit, topi shkon në shtyllën pingule dhe kthehet në fushë, Braho nuk i beson syve. Në minutat e mbetura të dy ekipet kanë mundësi shënimi, ku në fund himarjotët pretendojnë edhe për një penallti.
Loja pati ndërprerje të shumta, por ka vetëm 1 minutë shtesë dhe pjesa e parë mbyllet 0-0. Pjesa e dytë është më e mirë se e para, sepse rritet niveli i lojës. Trajneri Çoçlli rifreskon grupin me dy zëvendësime, por në minutën e 75-të është Himra ajo që e gjen golin. Një sulm nga e majta dhe himarjotët fusin një top në zonë dhe për çudinë e të gjithëve kemi hezitim si të mbrojtjes, por edhe të portierit të Partizanit.
Veshaj ndjek topin dhe pothuajse mbi vijën fatale e dërgon në rrjetë, 1-0. Partizani nuk pajtohet me këtë rezultat dhe hedh vështrimin drejt portës himarjote, ku Thana fut disa topa nga vija fundore për shokët e tij, por Alo, Qëndro dhe portieri Dergjini e mbrojnë me fanatizëm portën. Minutat ecin dhe në fushë ka tension, ku himarjotët luajnë rëndë dhe në minutën e 88-të Qëndro merr kartonin e dytë të verdhë dhe Himara mbetet me 10 vetë.
Gjyqtari Rada akordon 5 minuta shtesë por loja vijon më tej dhe në minutën e 97-të kapiteni Pashaj provon nga një distancë rreth 40 metra dhe topi i goditur me të djathtën me një hark të theksuar dhe përfundon në rrjetë, 1-1. Me këtë rezultat përfundon i gjithë takimi, ku barazimi ishte si humbje për të dy ekipet, pasi Himarës i rreshket fitorja në kohë shtesë, ndërsa Partizani lëshon vendin e dytë por ruan distancën me Lushnjen.
Të veçanta
-Takimi ndonëse zhvillohej në fushë asnjanëse ka zgjuar interesimin e tifozerisë sarandjote dhe përkrahja e tyre ishte për Partizanin. Nuk kanë munguar edhe incidentet mes tifozëve sarandjotë dhe futbollistëve të Himarës, madje në fund një nga himarjotët ka goditur me gurë tifozët dhe i menjëhershëm ka qenë kundërpërgjigja.
- Të pranishëm në tribunën “VIP”kanë qenë drejtuesit e të dy ekipeve, ku Partizani përfaqësohej me dyshen e ortakëve Lulëzim Sallaku dhe Paro Laçi. Në momentin kur barazoi Partizani Paro Laçi lëshon një top monedhash drejt stolit të Partizanit, ku në mënyrën më spektakolare rrëmbehen nga drejtuesit e stolit, që më vonë do t’i shpërndaheshin ekipit. Në fund të ndeshjes ka pasur edhe një tentativë të presidentit Lulëzim Sallaku për të hyrë në dhomën e gjyqtarëve, pasi të kuqtë ishin të pakënaqur me nivelin e gjykimit. Por forcat e rendit e kanë ndaluar dhe çdo gjë ka kaluar qetësisht
Thanë pas ndeshjes:
Roland Nenaj, trajner i Himarës: “Jam i pari që dua që Partizani të ngjitet në Superligë, por në asnjë mënyrë kjo ngjitje të vijë pa dhënë futboll në fushë. Ekipi im është një ekip i ri dhe ka si synim qëndrimin në kategori dhe siç e shikoni po i zhvillojmë të gjitha ndeshjet jashtë fushës sonë. Përveç kusureve që kemi ne na i bëjnë të vështirë edhe gjykimet e njëanshme si ky i sotmi, ku na u mohuan 2 penallti, por edhe mjaft faulla në dëm të ekipit tonë. Partizanit i uroj suksese.”
Petrit Haxhia, drejtor teknik i Partizanit: “Partizanit i’u desh të kryente një udhëtim shumë të gjatë e të vështirë për të mbërritur në Seandë. Është për të ardhur keq që ekipi kundërshtar nuk njeh lojën e “Fair-Play”-it, harron se është lojë futbolli dhe nuk ngelet vetëm te rezultati, por duhet të jetë më tej se rezultati, duhet të shfaqet futboll se atëherë në qoftë se nuk shfaqet futboll ne nuk luajmë futboll. Kjo pikë me vështirësi nga hiç është shumë e mirë. Jemi për futboll të ndershëm dhe “Fair-Play”, Himarës i uroj suksese.
Category: Futboll