Trepça 89 barazon, Prishtina kampion vjeshtor
Trepça ’89 ka gabuar sërish. Mitrovicasit nuk kanë mundur të fitojnë të enjten në Vushtrri në duel me Llamkos Kosovën, pasi përballja mes tyre ka përfunduar me rezultat të barabartë, 0:0 – në kuadër të xhiros së gjashtëmbëdhjetë të Superligës. Madje, zhgënjyese ishte paraqitja e kandidatit për titull të kampionit, ndaj të cilit ka dominuar plotësisht ekipi vushtrrias, i cili në mungesë të fatit nuk mundi ta fitoj duelin. Vendasit e kanë kontrolluar pjesën e parë, e madje i kanë lëshuar disa raste të mira shënimi, shumicën prej të cilave i humbi Xhevdet Mulliqi. Vushtrriasit e kanë sulmuar nënkampionin e Kosovës edhe gjatë pjesë së dytë, por assesi nuk ia dilte të shënonte. Por, edhe Trepça ’89 e ka pas një rast ideal për ta shënuar golin e fitores, kur në minutën e 82-të Egzon Feka nuk u gjend si duhet para portës bardh e kaltër, dhe kështu ndeshja përfundoi pa fitues. Ky epilog e shpalli matematikisht Prishtinën kampion vjeshtor, ngase kryeqytetasit tani i kanë katër pikë më shumë sesa Trepça ’89 që i ka 29 pikë, një xhiro para fundit të sezonit vjeshtor. Me këtë pikë të fituar Llamkos Kosova mbetet në vendin e dhjetë të renditjes me 16 pikë.
Category: Futboll