Sigal Prishtina i hap derën Berishës, por jo Shaptahoviqit
Sigal Prishtina shumë shpjet do të zyrtarizojë transferimin e katër basketbollistëve të huaj. Krerët e bardhekaltërve tashmë më shumë së kurrë janë duke punuar në mënyrë që të krijojnë një skuadër të denjë, e cila do ta prezantonte në mënyrën më të mirë të mundshme vendin tonë në sezonin e parë në garat ndërkombëtare (Ligën Ballkanike).
“Ne jemi duke zhvilluar negociata me disa basketbollistë të huaj. Bëhet fjalë për lojtarë nga Amerika, por edhe nga Evropa. Është duke u punuar në këtë drejtim dhe besoj se shumë shpejt do të prezantojmë katër basketbollistët e huaj”, ka deklaruar për Kosovapress drejtori sportiv, Florian Miftari.
Ish-basketbollisti i disa klubeve të vendit tonë, thotë se për të gjithë lojtarët vendore, Sigal Prishtina i ka dyert e hapura. Sipas tij, kjo vlen edhe për yllin pejan, Dardan Berishën.
“Sigal Prishtina ua ka hapur derën të gjithë lojtarëve vendorë, të cilët mund ta prezantojnë skuadrën tonë, por edhe vet Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme në Ballkan Ligë. Kjo vlen edhe për Dardan Berishën. Ne nuk kemi folur me Dardanin, por çdo lojtar që mendon se mund të japë kontribut në prezantimin tonë sa më të mirë në Ballkan Ligë, mund të bëhet pjesë e Sigal Prishtinës”, ka theksuar Miftari.
Por, sipas Miftarit, kjo mundësi nuk vlen edhe për ‘playmekerin’ e Pejës, Samir Shaptahoviqin, i cili llogaritët një nga basketbollistët më të mirë në Kosovë. “Samir Shaptahoviqi nuk mund të rikthehet në Sigal Prishtinë”, ka shtuar ai.
Miftari ka folur edhe për trajnerin që do ta drejtojë Sigal Prishtinën në sezonin e ardhshëm. Ai e ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit në klub të trajnerit turk, Ahmet Kandemir, i cili e drejtoi ekipin prishtinas në sezonin që e lamë pas.
Category: Basketboll