Arie Haan: Kemi ardhur këtu për të sulmuar

dardanmiftari | Wednesday, February 11, 2009 | 1 Komente


Vetëm pak orë përpara ndeshjes me Maltën, trajneri i Kombëtares shqiptare, Arie Haan, ka folur për gjendjen në skuadrën kuqezi.
Portieri Arjan Beqaj, kapiteni Altin Lala dhe zëvendëskapiteni Lorik Cana, nuk do të jenë në këtë ndeshje të rëndësishme të Kombëtares kuqezi. "Beqaj nuk luan, madje nuk do të jetë as në stolin e rezervave", deklaroi Haan në konferencën për shtyp, që u zhvillua dje pasdite. "Ai ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi dhe për këtë arsye do ta shohë ndeshjen në tribunë. Gjithsesi, kemi besim të plotë tek Isli Hidi, për të cilin nuk do të jetë ndeshja e parë si titullar. Ai ka përvojën e duhur për një përballje kaq delikate". Drejtuesi i stoli kuqezi konfirmoi se objektivi i Shqipërisë është vetëm fitorja. Holandezi synon t'i marrë tri pikët në La Valeta, duke hedhur në fushë një skuadër shumë ofensive, e cila do të kërkojë golin nga minuta e parë, deri në fërshëllimën finale. "Kemi ardhur këtu për të sulmuar dhe për të fituar. Objektivi i skuadrës është që të luajë futboll të bukur dhe po mendojmë të hedhim në fushë një formacion sulmues", shtoi Haan. Gjithsesi, ai nuk e fshehu faktin se i trembet asaj që është konsideruar "Thembra e Akilit" në përballjet e Kombëtares me kundërshtarë më të dobët teknikisht: vetëkënaqësisë. Tjetër problem është edhe forma jo optimale e disa futbollistëve, të cilët ende nuk e kanë nisur sezonin me klubet ku militojnë. Ky hendikep vjen në një moment delikat për skuadrën, së cilës i mungojnë shumë lojtarë. "Disa lojtarë të formacionit mungojnë për shkak të dëmtimeve, megjithatë, besoj se ata që do të aktivizohen do ta justifikojnë besimin që i kemi dhënë. Për mendimin tim, problemi më i madh është forma e disa lojtarëve, që për arsye të ndryshme, nuk janë aktivizuar rregullisht me skuadrat e tyre".

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

1 comment:

Shkruani Komentin Poshtë...