Lorik Cana i gatshëm kundër Hungarisë

dardanmiftari | Saturday, March 14, 2009 | 0 Komente

Mesfushori kosovar i Olimpique Marseille, Lorik Cana, do të jetë plotësisht i gatshëm për t’i shërbyer kombëtares shqiptare më 28 mars, në sfidën përballë Hungarisë.
Cana është rikuperuar nga dëmtimi në gju dhe pritet të jetë një prej lojtarëve kyç në takimin që do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”. Pas ndeshjes në Kupën UEFA kundër Ajaxit, u krijua përshtypja se 25-vjeçari kishte sërish probleme fizike, edhe sepse ai u aktivizua vetëm 45 minuta në fitoren 2-1 të Olimpique Marseille. Megjithatë, Cana ka hedhur poshtë çdo dyshim, duke deklaruar se aktivizimi vetëm për një pjesë loje ishte i llogaritur. “Nuk jam dëmtuar, por së bashku me stafin teknik preferuam të mos rrezikonim, pasi ishim duke fituar. Jam ende në fazë rikuperimi dhe ndihesha pak i lodhur, sepse nuk është e thjeshtë të luash një ndeshje në tre ditë pas dëmtimit”, ishin fjalët e zv/kapitenit kuqezi. “Duke parë rrjedhën e lojës kundër holandezëve, vlerësuam se nuk i nevojitesha më skuadrës. Për më tepër që nuk duhej të mbingarkohesha, pasi të dielën kemi një sfidë shumë të rëndësishme, siç është ajo me PSG-në”, ka shtuar shqiptari,. Kundër Hungarisë, në dispozicion të ekipit do të jetë edhe kapiteni Altin Lala, i cili është kthyer në nivelet optimale fizike dhe kjo konfirmohet prej faktit se ai është grumbulluar me ekipin e parë të Hanoverit për sfidën e sotme me Borusian e Dortmundit.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...