Manchester United 1-4 Liverpool

dardanmiftari | Saturday, March 14, 2009 | 0 Komente

Liverpooli ka shënuar fitore të lartë në supersfidën e javës së 29-të të Ligës Premier kundër kampionëve të Manchester United, për të rikthyer shpresat për t’u shpallur kampion.
Derbi i zhvilluar të shtunën në Old Trafford ndërmjet Manchester Unitedit dhe Liverpoolit, ka përfunduar me fitoren e skuadrës mysafire, me rezultat prej 4-1.

Pjesa e parë

Manchester United e filloi mirë takimin duke qenë skuadra e parë e cila krijoi avantazhin. Një ndërhyrje të gabuar të portierit mysafir Pepe Reina, gjyqtari i ndeshjes e dënoi me penallti. Ndërsa i pagabueshëm nga pika e bardhë ishte, portugezi Cristiano Ronaldo (23’). Pesë minuta më vonë (28’), një gabim të mbrojtësit serb, Nemanja Vidic, e shfrytëzoi sulmuesi spanjoll Fernando Torres, i cili solli baraspeshën në Old Trafford. Pa përfunduar pjesa e parë (44’), Patrice Evra e ndali në mënyrë të parregullt kapitenin e Liverpoolit, Steven Gerrard, brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, ndërsa penalltinë e akorduar në favor të Të Kuqve, simboli i Liverpoolit e shndërroi në gol, duke çuar skuadrën e tij në pushim me një gol avantazh.

Pjesa e dytë

Në pjesën më të madhe të gjysmës së dytë, vendasit ishin kërkues të golit të barazimit, duke bërë presion të vazhdueshëm ndaj portës kundërshtare, ndërsa loja zhvillohej në gjysmëfushën e Liverpoolit. Megjithatë, këtë presion të kampionëve e ndërpreu mbrojtësi serb Vidic, i cili bëri një ndërhyrje të gabuar ndaj Steven Gerrad, derisa ishte lojtari i fundit në mbrojtje, dhe u përjashtua me karton të kuq (76’). Goditja e dënimit që e shkaktoi fajtori kryesor i United, përveçse e përjashtoi atë nga ndeshja, u shndërrua edhe në gol, pasi që Fabio Aurelio e mposhti portierin Va nder Sar me një gjuajtje të bukur (77’). Me një lojtar më pak në fushë, Manchesteri nuk mund të bënte asgjë, ndërsa Liverpooli shënoi edhe golin e katërt (90’) me anë të mbrojtësit të inkuadruar në pjesën e dytë, Andrea Dossena. Me këtë fitore, Liverpooli ringjalli shpresat për garën drejt titullit kampion të Ligës Premier, pasi që tani është vetëm katër pikë pas Manchester Unitedit.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...