Kuqezinjtë turpërohen edhe në Danimarkë

dardanmiftari | Thursday, April 02, 2009 | 0 Komente

Kombëtarja shqiptare ka treguar një lojë të dobët, sidomos në mbrojtje, duke pësuar me rezultat 3-0 në ndeshjen e radhës kualifikuese për Botërorin 2010 kundër Danimarkës.

Pjesa e parë

Trajneri Arie Haan startoi vetëm me një sulmues, Besart Berishën, që ‘përkrahej’ nga Gilman Lika, Ervin Skela dhe Klodian Duro, që nuk funksionoi kurrqysh. Me mungesat e dukshme, si portieri i lënduar Arjan Beqaj dhe shtylla e kombëtares, Lorik Cana (i suspenduar për shkak të kartonëve të verdhë), danezët kërcënuan disa herë portën shqiptare, por nuk arritën të gjejnë rrjetën në tridhjetë minutat e para. Rezultatin e hapi mesfushori Leon Andreasen, i cili shënoi me një goditje nga largësia, ndaj të cilës në mënyrë amatore reagoi portieri Isli Hidi (31’). Nuk zgjati shumë, pas vetëm gjashtë minutash tjera, danezët rigjetën portën e Shqipërisë me anë të sulmuesit Soren Larsen.
Pjesa e dytë

Duke parë se sulmi kuq e zi nuk arriti kurrë të kërcënojë portën kundërshtare në pjesën e parë, holandezi inkuadroi edhe sulmuesin Hamdi Salihi në vend të Ervin Bulkut. Megjithatë as sulmuesi shkodran nuk pati ndikim në lojën e kombëtares, duke mos kërcënuar asnjëherë seriozisht mbrojtjen e Danimarkës. Pas një ore lojë vendasit shënuan edhe një gol, që në mënyrë të padrejtë u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje, e që incizimet treguan se gjithçka ishte në rregull. Por danezët nuk u mjaftuan me kaq, dhe dhjetë minuta para fundit të kohës së rregullt, pas një gabimi tjetër të portierit Hidi, para portës shqiptare u krijua një rrëmujë, të cilën e shfrytëzoi Christian Poulsen për të trefishuar rezultatin. Nga afër ndeshjen e përcolli edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i cili është një tifoz i futbollit, por që padyshim mbeti i zhgënjyer nga paraqitja e kombëtares. Humbja e len Shqipërinë në pozitën e pestë të tabelës, me gjashtë pikë, sa kanë edhe Portugalia dhe Suedia, të cilat mbajnë pozitat katër dhe pesë falë diferencës më të mirë të golave, por edhe me dy, respektivisht tre ndeshje më pak. Danimarka vazhdon të mbajë kreun e grupit 1 me 13 pikë, sa ka edhe Hungaria në pozitën e dytë, e cila më herët kishte mposhtur Maltën në fushë të vet, me rezultat 3-0.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...