Mbretërit fitojnë derbin

dardanmiftari | Sunday, November 08, 2009 | 0 Komente

Kaka, Higuain dhe Sergio Ramos festojnë golin e parë. Los Merengues kanë fituar derbin e kryeqytetit spanjoll kundër Atleticos, për të mbajtur hapin me Barcelonën në krye të tabelës.
Takimi i zhvilluar të shtunën mbrëma në Vicente Calderon, ndërmjet Atletico Madridit dhe Real Madridit, u ka takuar lojtarëve me fanellat e bardha, të cilët fituan me rezultat prej 3-2. Reali ishte skuadër shumë më e mirë në fushë sesa kundërshtarit tij, duke arritur të krijojë epërsi të trefishtë. Serinë e golave e filloi superylli brazilian Ricardo Kaka, i cili me një supergol kaloi mysafirët në epërsi që në fillim të ndeshjes (5’). Braziliani tjetër, Marcelo dyfishoi rezultatin duke shënuar në portën e Sergio Asenjos nga një pozitë ‘e pamundur’ (25’), dhe me epërsinë e dyfishtë të Mbretërve përfundoi pjesa e parë. Edhe në pjesën e dytë, ishin sërish Los Blancos që shënuan, kur një gabim të mbrojtjes vendase e shfrytëzoi Gonzalo Higuain për të trefishuar epërsinë (64’). Përjashtimi i Sergio Ramos me karton të kuq (66’), ndryshoi tërësisht rrjedhën e takimit. Atletico u bë skuadër shumë e rrezikshme duke arritur të shënojë dy gola të shpejtë, me anë të Diego Forlan (79’) dhe Sergio Aguero (81’). Mirëpo edhe pse deri në fund vendasit kërkuan golin e barazimit, ata nuk ia arritën qëllimit të tyre, përballë Realit që mbrohej me të gjithë lojtarët. Pas kësaj fitoreje, Real Madridi mban hapin me një pikë më pak se lideri i tabelës, Barcelona. Ndërkohë, përkundër emrave që ka në skuadër, ky ishte një dështim i radhës për Atletico Madridin.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...