Juve ndëshkon kampionin
Supersfida evropiane këtë fundjavë zuri vend në Stadiumin Olimpik të Torinos, ku janë ndeshur skuadra më e trofeshme në Itali- Juventus, dhe skuadra që po dominon futbollin italian në vitet e fundit- Inter.
Përballja ndërmjet dy rivalëve të përjetshëm në Serie A përfundoi me fitoren e Zonjës së Vjetër me rezultat prej 2-1.
Pjesa e parë
Fraksioni i parë i ndeshjes filloi vrullshëm, sidomos nga skuadra vendase, e cila ishte më dominuese duke kërkuar golin e avantazhit.
Bianconerët ia arritën qëllimit të tyre në minutën e 21-të, kur pas një krosimi të Diegos nga gjuajtja e lirë, më së miri u gjet braziliani tjetër, Felipe Melo, i cili e mposhti me kokë portierin Julio Cesar.
Mirëpo nuk kaloi shumë kohë, dhe zikaltrit barazuan rezultatin. Ishte sulmuesi kamerunas Samuel Eto’o, lojtari i cili barazoi shifrat (27’) duke mposhtur me kokë portierin Buffon, pas krosimit të Dejan Stankovic.
Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim, pasi që deri në fund të 45 minutëshit të parë nuk u shënua gol tjetër, duke qenë se u ngadalësua ritmi i lojës.
Pjesa e dytë
Sikurse në pjesën e parë ashtu edhe në fillimin e gjysmës së dytë, Zonja e Vjetur u tregua skuadër më kërkuese ndaj golit, me ç’rast vendasit u treguan sërish efikas.
Pas një goditje të Momo Sissokos drejt portës kundërshtare, portieri Cesar mbrojti tentativën e mesfushorit juventin, mirëpo topi u kthye te Claudio Marchisio, i cili pas një superderpërtimi shënoi golin e dytë për bardhezinjtë (58’), i cili rezultoi të ishte goli i fitores.
Kah fundi i ndeshjes (87’), pas një zënke ndërmjet lojtarëve, Felipe Melo u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë, megjithatë në minutat e mbetura mysafirët nuk ndryshuan asgjë.
Pas kësaj fitoreje, Juventusi mban vendin e tretë në tabelë, por tani ka ngushtuar diferencën në pesë pikë me liderin Inter.
Nga ana tjetër, Milani tani është vetëm katër pikë pas Nerazzurëve dhe gara për titull mbetet e hapur për të tria skuadrat e mëdha italiane.
Category: Futboll
0 Komente