Chelsea shkatërron Aston Villan
Frank Lampard ka shënuar katër gola, dy prej të cilëve nga pika e bardhë për të ndihmuar Chelsan të shkatërrojë Aston Villan me rezultat 7-1 dhe për të marrë kreun e Ligës Premier.
Lampard hapi rezultatin pas 15 minutash lojë pas një asistimi të Florent Malouda, por pas gati aq minutash lojë John Carew barazoi për Aston Villan (29’). Një penalti e fituar nga Yuri Zhirkov u shndërrua në gol nga Lampard, duke çuar vendasit në pauzë me avantazh 2-1.
Pas 12 minutash në pjesë të dytë Malouda shënoi golin e tretë për blutë (57’) që iu dha edhe më shumë energji vendasve. Pesë minuta më vonë (62’), Lampard shënoi golin e tij të tretë, edhe kësaj here nga penaltia, gjashtë minuta para se Malouda të shënojë golin e tij të dytë dhe të pestin për Chelsan.
Edhe pse kishin avantazh 5-1, të zgjedhurit e trajnerit Carlo Ancelotti vazhduan të sulmojnë edhe më tej. Shtatë minuta para fundit të kohës së rregullt, Salomon Kalou çoi në gjashtë numrin e golave për blutë. Por, nuk mbaroi këtu. Frank Lampard shënoi golin e tij të katërt në minutat shtesë për të vulosur vuajtjen e të zgjedhurve të trajnerit Martin O’Neill.
Fitorja e ngre Chelsean në pozitën e parë të tabelës me 71 pikë, dy më shumë se Manchester United që më vonë udhëton te Bolton.
Category: Futboll
0 Komente