Eto'o, falënderim lamtumirës Nerazurrëve
Nënshkrimi i ri i Anzhi Makhachkala, Samuel Eto’o, i ka shkruar një letër të hapur Interit, duke shprehur falënderime për kolegët dhe keqardhjen për largimin nga klubi.
Në falënderimin pasionant 30-vjeçari nuk ka harruar të përmendë ish-trajnerin Jose Mourinho dhe presidentin e klubit Massimo Moratti, si edhe mikun e tij Marco Materazzi.
"Mendoj se është e drejtë dhe ndershme të falënderoj njerëzit të cilët më kanë dhënë aq shumë në këto dy vite fantastike të cilat i kam kaluar te Interi. Mbi të gjitha dua të falënderoj presidentin Massimo Moratti dhe familjen e tij për gjithçka që kanë bërë dhe për mënyrën me të cilën më kanë ndihmuar mua dhe të afërmve të mi. Gjithmonë do të ndjej një lidhje të veçantë me z. Moratti për respektin dhe dashurinë që ka treguar ndaj meje në këto vite të jashtëzakonshme".
Pastaj janë të gjithë bashkëlojtarët e mi: Jam i vetëdijshëm se pa inkurajimin dhe ndihmën e tyre në fushë Interi nuk do të kishte arritur aq fitore të rëndësishme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Një falënderim shumë i veçantë, po ashtu, për të gjithë futbollistët italianë dhe të huaj të cilët më kanë mundësuar të bëhem një lojtar më i mirë. Falënderim i sinqertë shkon edhe për trajnerët të cilët kanë qenë te Interi në këto vite, dhe veçanërisht për z. Jose Mourinho, i cili ishte shumë i vendosur për të më pasur mua te klubi, për mundësinë që më dha duke më sjellë në Milano", ka shkruar Eto.
Pasi ka falënderuar stafin teknik dhe familjarët, ai ka ndarë një përshëndetje edhe për një bashkëlojtar më të veçantë.
"Falënderime për një njeri i cili është gjithmonë Interist, Marco Materazzi, që më ka bërë të ndjehem 'italian'. Faleminderit shumë, vëlla. Shpresoj të mos kem harruar dikë, falënderime për secilin prej jush!", ka përfunduar kamerunasi.
Eto'o iu shit klubit rus për një vlerë që u raportua se kapte shifrën e 28 milionë eurove.
Category: Futboll
0 Komente