La Liga fillon këtë vikend
Liga profesionale e futbollit spanjoll (LFP) dhe unioni i lojtarëve (AFE) kanë arritur marrëveshje për t'i dhënë fund grevës e cila anuloi rundin e parë të ndeshjeve në Ligën e Parë dhe të Dytë vikendin e kaluar.
Pas shtatë takimeve mes dy palëve sot (e enjte) është arritur një pajtim dhe ndeshjet e këtij vikendi do të vazhdojnë normalisht, ndërsa ato të javës së kaluar do të caktohen për një datë tjetër, që me gjasë do të jetë në maj ose qershor.
AFE, e cila përfaqëson dy kategoritë më të mira të futbollit spanjoll, filloi grevën më 11 gusht pasi nuk u dëgjuan kërkesat e tyre. Unioni i lojtarëve kërkonte një mbrojtje më të madhe për pagat e lojtarëve, të cilët nuk janë paguar nga klubet. Sipas kësaj organizate klubet u kanë borxh rreth 200 lojtarëve një shumë që arrin vlerën e 50 milionë eurove.
Sidoqoftë, takimi i gjashtë mes tyre i zhvilluar të mërkurën ka qenë më i vlefshmi në arritjen e marrëveshjes, pasi ishte bërë një progres i dukshëm gjatë diskutimeve 12-orëshe.
Palët do të shpjegojnë detajet e marrëveshje gjatë një konference shtypi të përbashkët, e cila pritet të zhvillohet nesër (e premte).
Category: Futboll
0 Komente