Juventusi në finale të Kupës
Përkundër barazimit prej 2-2 përballë Milanit, Juventusi e ka siguruar kualifikimin në finale të Kupës së Italisë falë rezultatit më të mirë në të dy ndeshjet gjysmëfinale (4-3).
Në takimin e parë të zhvilluar në San Siro, Juventusi fitoi me rezultat 2-1, ndërsa pas barazimit në Juventus Stadium, Zonja e Vjetër kualifikohet në finale. Vendasit zhvilluan një gjysmë të parë impresionuese dhe me meritë e përfunduan me avantazh. Alessandro Del Piero reagoi shpejtë pas krosimit të Lichtsteiner dhe çoi në ekstazë tifozët në Juventus Stadium (28’).
Në gjysmën e dytë Philippe Mexes dërgoi një top në zonë dhe Djamel Mesbah ishte aty për t’i barazuar shifrat (51’).Në vazhdim, ndërkohë që Milani po tentonte ta shënojë golin për të siguruar vazhdimet, Juventusi përpiqej që t’i japë fund dilemës për finalistin.Në këtë aspekt më të suksesshëm rezultuan lojtarët mysafirë, të cilët kaluan në avantazh përmes Maxi Lopez (81’), ashtu që u desh të zhvilloheshin vazhdimet për ta vendosur fituesin.
Në vazhdime, Mirko Vucinic pranoi një pasim nga Andrea Pirlo dhe në mënyrë mjeshtërore e barazoi rezultatin (96’), i cili i kualifikonte Bianconerët.
Duke qenë se Milani nuk arriti ta shënojë edhe një gol, Rossonerët u eliminuan nga Kupa.
Në finale të Coppa Italia, Juventusi do të luajë kundër fituesit të duelit mes Sienas dhe Napolit.
Category: Futboll
0 Komente