76ers dhe Celtics në rundin e dytë
Philadelphia 76ers dhe Boston Celtics kanë shënuar fitore në takimet e mbrëmshme për t’u kualifikuar në rundin e dytë të play-offit, që të dyja me rezultat 4-2.
Philadelphia eliminoi skuadrën e goditur nga lëndimet, Chicago Bulls, duke e mposhtur me rezultat të ngushtë 79-78 në ndeshjen e gjashtë mes tyre, për të arritur në gjysmëfinalet e Konferencës Lindor për të parën herë në nëntë vite.
76ers do të takohen në rundin e ardhshëm me Boston Celtics, që po mbrëmë fituan 83-80 ndaj Atlanta Hawks, po në ndeshjen e gjashtë mes tyre.
Nga takimet tjera, Denver Nuggets kanë shmangur eliminimin duke mposhtur Los Angeles Lakers me rezultat 113-96 për të barazuar në 3-3 serinë e ndeshjeve.
Skuadra fituese do të vendoset në ndeshjen e ardhshme, të shtatën, që zhvillohet të shtunën në Staples Center të Los Angelesit.
Category: Basketboll
0 Komente