Hakmerret Liverpooli – Chelsea jashtë pozitës së katërt (VIDEO)
Me rezultat prej 4-1, Liverpooli e ka mposhtur Chelsean në kuadër të Ligës Premier, për t’iu hakmarrë për atë humbje në finale të Kupës FA.
Në takimin e zhvilluar në Anfield, serinë e golave e filloi Michael Essien, i cili shënoi në portë të gabuar pas gjuajtjes së Luis Suarez (19’).
Pas një gabimi të John Terryt, Jordan Henderson e dyfishoi epërsinë e vendasve (25’).
Tre minuta më vonë, pas një krosimi nga këndi, Andy Carroll asistoi te Daniel Agger, i cili i fundosi edhe më shumë Blutë (28’).
Pas ndërhyrjes së Branislav Ivanovic në Carroll, u akordua penalti në favor të Redsave, mirëpo Stewart Downing e goditi shtyllën (45’+3).
Pesë minuta brenda pjesës së dytë, Ramires e shënoi golin i cili rezultoi i nderit për mysafirët (50’).
Rezultatin përfundimtar e vendosi Jonjo Shelvey, pas një gabimi tjetër të lojtarëve me fanellat e kaltra (61’).
Kjo humbje e lë Chelsean edhe matematikisht jashtë pozitës së katërt, pasi gjendet pesë pikë prapa Tottenhamit, një javë pa përfunduar Kampionati anglez.
Category: Futboll
0 Komente