Speciale: United dështon në transferime

dardanmiftari | Thursday, June 28, 2012 | 0 Komente

Me borxhe prej më se 500 milionë funtesh, klubi nga Old Trafford po dështon që të transferojë në ekip disa prej yjeve më të mëdha evropiane të mesfushës.

Ishte së pari Wesley Sneijder ai që tërhoqi syrin e Sir Alex Ferguson, por me shpresën se do të transferojë Modric, ai e la holandezin të qëndrojë te Interi, gjë që përbën dështim absolut për skocezin, pasi tërë sezonin e kaloi pa mesfushor kreativ, pa llogaritur rikthimin e Scholes.

Pasi hoqi dorë nga Sneijder, Ferguson ktheu vëmendjen kah Samir Nasri dhe thënë realisht ishte pranë transferimit të tij, por jo aq pranë sa për ta mposhtur Manchester Cityn, që në momentin e fundit hyri në garë dhe e transferoi mesfushorin e Arsenalit, për ta bërë atë edhe kampion disa muaj më vonë.

Me përfundimin e sezonit dhe me dështimin e madh për të fituar një trofe, Sir Alex Ferguson seriozisht filloi punën në tregun e transferimeve, vëmë në theks të veçantë mesfushën. Para fillimit të Euro 2012, Ferguson punoi intenzivisht në transferimin e Luka Modric nga Tottenhami dhe praktikisht arriti ta bindë pronarin e Spursave, Daniel Levyn, që ta shkarkojë Harry Redknapp, një pengesë e madhe në kalimin e Modric te United. Pasi Redknapp u shkarkua, Ferguson e kishte rrugën e lirë, apo...

Me të filluar Euro 2012, Luka Modric befasoi të gjithë duke shfaqur paraqitje të jashtëzakonshme për Kroacinë në sfidat ndaj Italisë dhe Spanjës, me ç’rast hyri në radarin e askujt tjetër pos Real Madridit. Dhe menjëherë sa përmendet Jose Mourinho dhe Real Madridi, duhet ta pranojmë realitetin – Modric është lojtar i Realit. Kjo pasi United nuk do të ketë fuqi që me borxhet e saj të konkurrojë me një Real Madrid që është në plus vjetor prej 500 milionë eurosh.

Modric është i humbur, por i humbur është edhe Hazard. Mesfushori fantastik i Chelseat ishte fare pranë nënshkrimit me United, madje udhëtoi edhe për testet mjekësore, para se kahjen kësaj çështje t’ia ndërronte Roman Abramovich me telefonatën kruciale presidentit të Lilles, të cilit i ofroi 10 milionë funte më shumë.

Sir Alex Ferguson nuk ka më opsione, por ka kohën në dorën e tij. Deri në gusht ai duhet që të gjejë një mesfushor top klasi botëror nëse mendon që seriozisht ta sfidojë Manchester Cityn dhe Chelsean në luftën për titull, sepse përndryshe problemet për të do të jenë shumë, shumë të mëdha.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...