Berisha: Do ta mposhtim Prishtinën

Unknown | Friday, November 16, 2012 |


Basketbollisti më i mirë në Kosovë për momentin, Dardan Berisha, është shprehur i bindur në fitore të skuadrës së tij, Pejës ndaj Sigal Prishtinës të dielën, edhe pse e cilëson si sfidë të vështirë. Berisha flet edhe për formën e pejanëve, të tij, cilësinë e basketbollit kosovar, rivalitetin, shikuesit, pritjen që do t’i bëhet në Prishtinë dhe synimet me ‘verdhezinjtë’.

Peja është skuadra e vetme e pamposhtur në basketbollin e Kosovës këtë sezon, kurse Dardan Berisha është basketbollisti më i mirë në vendin tonë për momentin. Pejanët të dielën do të kenë derbin e sezonit vjeshtor ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet. Berisha beson që ‘verdhezinjtë’ nuk do të mposhten në kryeqytet dhe me fitore do të vazhdojnë deri në fund të kampionatit.

“Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e vështirë. Besoj se do të shënojmë fitore edhe pse nuk do të jetë lehtë. Prishtina ka një ekip të mirë dhe nuk bën të nënçmohet. Hendikep për ne do të mungesa e Blerim Mazrekut, por ne kemi mundur Trepçën e Bashkimin pa të. 

Në pamje të parë mund të duket se prishtinasit kanë përparësi në trapez, por ne do të luajmë lojën tonë, dhe do të dalim të pamposhtur nga Prishtina”, u shpreh Berisha për “Sport”.

Në takimin e parë të kësaj sezone në ‘Karagaçi’, Peja ia shkaktoi njërën nga humbjet më të thella Prishtinës pasluftës me rezultat 98:67, ku Dardan Berisha ishte më i miri me 29 pikë. “Do të jetë një derbi i vërtetë dhe nuk besoj se do të kemi të lehtë si ndeshjen e parë. 

Edhe para ndeshjes nuk kam menduar se do të fitojmë me 31 pikë dallim. Varet edhe nga forma e lojtarëve. Shpresoj që të jemi në nivel dhe të vazhdojmë me fitore”, vazhdoi pejani. (ORAinfo)

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!