Berlusconi “zbret” në fushën e Milanit
Në mesditë në Milanello zbarkoi presidenti i kuqezinjve, Silvio Berlusconi. Ashtu sic pati premtuar ai do të takohet me futbollistët kuqezinj në një përpjekje për t’u dhënë më shumë stimuj në këto ditë të vështira për skuadrën.
Presidenti rikthehet në shtëpinë e kuqezinjeve pas 13 muajsh nga vizita e fundit, e datuar më 1 tetor të vitit të kaluar kur takoi futbollistët në para transfertës (së humbur) me Juventusin.
Në kampin stërvitor presidenti u prit nga administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, përqafoi El Sharauein, që i dedikoi golin e shënuar me kombëtaren italiane në sfidën me Francën dhe shtrëngoi duart një për një me të gjithë lojtarët e tjerë dhe me trajnerin Allegri.
Në 12 ndeshje të Serisë A, Milani i tij ka humbur 6 prej tyre duke regjistruar një rekord historik negativ. Të dielën në mbrëmje, pak orë pas humbjes në San Siro përballë Fiorentinës, presidenti shprehu mbështetjen për trajnerin Allegri.
Ai kërkoi nga skuadra më shumë sforco për të tejkaluar momentin e vështirë e për të nisur ngjitjen e shkallëve në kampionat, por edhe për të mos dështuar në kalimin e fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve, ku vendimtare është sfida me Anderlehtin.
Category: Futboll