Falkao mendon largimin, Siti dhe Çelsi “fërkojnë” duart!
Përgatiti: ARJAN KOÇI
Dy klubet angleze janë gati të paguajnë 46 milionë paundë për të marrë shërbimet e sulmuesit kolumbian, i cili ka pohuar se gjatë verës së ardhshme do të largohet nga Madridi
Mançester Siti dhe Çelsi janë ngritur peshë sepse objektivi Radamel Falkao, me vlerë 46 milionë paundë, ka deklaruar se është “duke ëndërruar transferimin”. Dy rivalët e Premier Ligës pritet të bëjnë një lëvizje për sulmuesin e Atletikos së Madridit në merkaton e janarit. Falkao, i cili ka shënuar 10 gola në La Liga këtë sezon, i ka hapur rrugën një transferimi të mundshëm duke zbuluar dëshirën e tij për të luajtur në një kampionat të huaj. Ai i tha Radio Caracol:
“Shansi për të luajtur në një kampionat dhe në një tjetër klub do të vijë. Unë vazhdoj të ëndërroj. E di se një ditë do të shkoj në një ekip tjetër, por kam më shumë se tre vjet në kontratën time me Atletikon. Ka ëndrra që i kam realizuar dhe të tjera që jam duke i realizuar tani.
Unë ëndërroj të shkoj në Kupën e Botës me Kolumbinë dhe gjithashtu që të vazhdoj të fitoj me klubin tim. Në kokën time kam disa objektiva, që janë shumë të qarta, nuk mendoj përtej tyre. Arsyeja që unë nuk luaj në Ligën e Europës është për shkak të një vendimi teknik nga trajneri i Atletikos, Diego Simeone, jo sepse do të largohem në janar.
Kjo është vetëm një masë paraprake. Unë nuk jam mik me Kristiano Ronaldon ose Mesin, por kur i kam parë në fushë, kam shkëmbyer fjalë me ta. Ëndrra ime është gjithmonë e gjallë. Premier Liga është një ligë interesante, por unë kam edhe disa vite të mbetura në kontratën time me Atletikon dhe jam i fokusuar me Atletikon.”
Category: Futboll