Ironia e Lëv: S’e kisha parë kurrë Holandën të mbrohej

Unknown | Friday, November 16, 2012 |

Ndryshe nga ç’ishte paralajmëruar, surpriza e Joakim Lëvit në sulmin e Gjermanisë nuk ishte Lukas Podolski, por Rojs. Në mbrojtje Hëvedes bëri një ndeshje mjaft të mirë, ashtu si Bender e Gyndogan shkatërrues, por edhe Luis Holtbi më i avancuar. Gjithçka që ka parë Jogi në fushë e ka lënë të kënaqur, veçanërisht reparti i mbrojtjes, i cili në ndeshjen e fundit pësonte katër gola nga Ibrahimoviç me shokë. Sigurisht, do t’i kishte pëlqyer fitorja në këtë klasike, por Gjermania duhet të kishte shënuar që në pjesën e parë, sepse në të dytën ndeshja ishte shumë më e ekuilibruar dhe përgjithësisht u zhvillua në mesfushë.

Disiplinë taktike “Për mua kjo ndeshje ishte shumë pozitive. Kishim një skuadër tërësisht të revolucionarizuar, ndërsa na mungonin shumë nga titullarët. Luajtëm me një disiplinë taktike për t’u pasuar zili. Rezultati nuk ka fort rëndësi në miqësore, por nëse ne kishim shanse për ta fituar takimin, ato i patëm në pjesën e parë. 

Me pak fat mund të kishim shënuar, ashtu siç mund ta kishte bërë edhe Holanda. 45 minutat e para i dominuam, por nuk e gjetëm dot golin. Ndërsa pjesa e dytë ishte më e ekuilibruar”, – ishin fjalët e para të Lëvit pas ndeshjes. Sa i përket të rinjve që bindën në fushë ai nuk pranoi të përmendte emra të përveçëm, por shtoi se përgjithësisht kishte marrë rezultatet e pritshme nga të gjithë të besuarit e tij. 

Mirëpo nëse nga sulmi 52-vjeçari nuk mori përgjigjen që kishte pritur, nga mbrojtja është më shumë se i kënaqur: “Ishim të saktë dhe solidë taktikisht. Kjo ishte tepër e rëndësishme pas një ndeshjeje që e kryesonim 4- 0 dhe pësuam 4 gola. Në pjesën e parë patëm guximin të luanim më përpara, në të dytën u tërhoqëm disi. E rëndësishme ishte që Holandës nuk i lejuam asnjë shans”. Në fund dhe një “shigjetë” për kombëtaren e Luis Van Galit: “Jam i habitur nga ‘tulipanët’. Luanin në shtëpinë e tyre, për këtë arsye nuk e prisja të qëndronin gjithë kohës në mbrojtje”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!