‘Kupa e Pavarësisë’, tërhiqet Renova

Unknown | Friday, November 16, 2012 |

Shkup, 15 nëntor – Për shkak të angazhimeve të shumta në kampionat dhe ndeshjes kthyese të çerekfinales së Kupës së Maqedonisë me Teteksin, drejtuesit e Renovës kanë vendosur që të mos marrin pjesë në turneun tradicional mbarëkombëtarë, i cili me rastin e Pavarësisë së Shqipërisë organizohet çdo vit në Vlorë. 

Shkëndija dhe Renova, herë njëra e herë tjetra ftoheshin çdo vit të përfaqësojnë shqiptarët e Maqedonisë në këtë manifestim sportiv kushtuar flamurit shqiptar, ndërsa këtë vit meqenëse jemi në jubileun e 100 vjetorit, organizatorët parapanë turne të zgjeruar edhe në qytetet tjera të Shqipërisë. 

Dhe fati kërkoi që në kualifikime Renova të përballej me Shkëndijën më 20 nëntor në duelin që duhej të luhej në qytetin e Kukësit. Mirëpo, siç raporton zhurnal, pasi Renova ka ndeshje me Teteksin më 21 nëntor, është vendosur që të tërhiqen nga ky turne. “Me keqardhje duhet të pranojmë se tërhiqemi nga pjesëmarrja në këtë manifestim jubilar dhe arsyeja është shumë e kuptueshme. Ne kemi angazhime në kampionat, ndërsa më 21 nëntor duhet të zhvillojmë ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Kupës së Maqedonisë me Teteksin. 

Organizatorët na ofruan të luajmë me 22 nëntor me Shkëndijën në Kukës, por edhe kjo datë është e papranueshme për ne, pasi që është e pamundur të luajmë një ditë pasi kemi takim të rëndësishëm në Kupë, plus udhëtimi që do të ishte lodhje plotësuese për futbollistët. Kërkojmë falje për këtë tërheqje dhe urojmë fat skuadrave pjesëmarrëse”, sqaroi drejtori sportiv i Renovës, Lirim Saiti, arsyet e tërheqjes së xhepçishtasve nga turneu ‘Kupa Pavarësia 2012’. 

Renova dy vite më parë ishte pjesë e këtij turneu, në të cilin madje fitoi vendin e parë, ndërsa dy herë pjesëmarrëse ka qenë Shkëndija, që këtë vit do të jetë për të tretën herë në Shqipëri. Fitues aktual është Hysi i Kosovës, pasi në finalen e vitit të kaluar, mundi Shkëndijën pas ekzekutimit të penaltive.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!