Mamurrasi fiton me Adën dhe ngjitet e dyta

Unknown | Friday, November 16, 2012 |


MAMURRASI-ADA 3-1
GOLAT: Malaj 13′, Selaci 33, Metaj 76′/ Doçi 35′
MAMURRASI: Myrtaj, Baçi, Grizhi (Sela 75′), Bega, Malaj, Verli, Dema, Selaci (Hysaj 61′), Shima, Pustina (Batusha 78′), Metaj. Trajner: S.Bardhi
ADA: Dervishaj, Nikaj, Tola (Ferlushka 60′), Rusi, Doçi Zefi, Coba, Drabeja, Pëllumaj, Erkaçeviç, Mujeci (Jacaj 50′); Trajner: R.Kulli
GJYQTARË: E.Durmishi, F.Mata, E.Patomi (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Bega, Malaj, Shima/ Jacaj, Rusi
VËZHGUES: E.Kalimari ( Tiranë)
DELEGAT: A.Mali (Tiranë)
Mamurrasi ka fituar dje 3-1 ndaj Adës, sfidë e prapambetur e javës së 11-të. Ndeshja ka nisur me një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit 32-vjeçar Rigels Pjetrushi, i ndarë nga jeta tragjikisht para disa ditësh. Ndonëse me dy mungesa, Mamurrasi ka nisur që në start me sulm në drejtim të portës mike. Në minutën e 13-të Malaj ka gjuajtur në krahun e djathtë të sulmit nga një distancë rreth 30 metra drejt portës kundërshtare dhe ka shënuar golin e parë pas një pakujdesie të portierit Dervishaj. Pas avantazhit sulmet e mamurrsakëve nuk rreshtin, madje shpërdorojnë edhe mjaft raste të pastra. Aty nga minuta e 33-të, mesfushori Selaci ka harkuar topin në mënyrë perfekte nga e majta e sulmit duke e çuar në rrjetë për të dytën herë. Por pas shënimit të këtij goli, nga një hutim i mbrojtjes së Mamurrasit dhe për mjeshtri të mesfushorit Doçi nga një goditje dënimi, shifrat ngushtohen në 2-1. Ndryshe nga pjesa e parë, 45 minutat e dyta nuk kanë atë vrull. Loja e skuadrës mamurrsake ka pësuar një rënie të ndjeshme. Nga kampi tjetër miqtë nga Velipoja iu afruan barazimit pas një ekzekutimi fantastik nga një goditje dënimi, por përgjigjja e Myrtajt ka qenë po aq perfekte në trekëndëshin e portës së mbrojtur prej tij. Në vijim aksionet e ndërtuara nga futbollistët e Adës zmbrapsen nga mbrojtja e Mamurrasit, që nuk lejon më prekjen e rrjetës. Trajneri Sinan Bardhi do të bëjë dy ndryshime në formacion. Në minutën e 76-të Pustina ka mundur të depërtojë nga e djathta e sulmit. Pas një harkimi të topit në zonën kundërshtare, Metaj ka nuhatur gjuajtjen e tij dhe do të gjuajë fort duke trefishuar shifrat. Rezultat që do të qetësonte presidentin Ded Ndreca dhe trajnerin Sinan Bardhi deri në fund të takimit. Në përgjithësi loja e Mamurrasit nuk ishte në lartësinë e duhur duke e krahasuar me atë të disa ditëve më parë ndaj Partizanit. Megjithatë, është trepikëshi ai që e ka ngjitur ekipin në vendin e dytë.
Trajneri Sinan Bardhi
Trajneri Sinan Bardhi është shprehur se mungesat e dy titullarëve kanë ndikuar në lojën e tërë ekipit, porse e kënaq rezultati final. “Në këtë takim janë bërë disa gabime që duhen eliminuar. Në përgjithësi loja ishte në lartësinë e duhur dhe të gjithë kanë bërë përpjekje për të dhënë më të mirën, gjë që e tregon edhe rezultati”.
Trajneri Ritvan Kulli
Trajneri i Adës, Ritvan Kulli, ka përgëzuar skuadrën vendëse për fitoren e arritur. “E uroj me gjithë zemër Mamurrasin për cilësinë e lojës. Pa dyshim që kjo skuadër është për t’u admiruar. Mamurrasi e meritoi fitoren, kjo falë edhe disa gabimeve të Adës që besoj se kanë diktuar dhe lojën e futbollistëve të saj”, – përfundoi tekniku i velipojakëve.
Shkëlqim Zani

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!