Partizani merr 1 pikë në minutën e 97-të…

Unknown | Friday, November 16, 2012 |


Partizani ka arritur të marrë një pikë mes polemikave në ndeshjen e luajtur dje ndaj Himarës, në stadiumin e Sarandës. Të kuqtë, edhe pse ishin të përgatitur për fitore, u gjendën në disavantazh për minuta me radhë dhe barazuan vetëm në limit të kohës shtesë, duke bërë që vendësit të protestonin ashpër, pasi gjyqtari i katërt kishte akorduar vetëm 5 të tilla. Ndërkohë që tifozët himarjotë nuk kursyen as gurët në fushë, duke u konfliktuar me tifozët vendës, të cilët ishin mbështetës të skuadrës së Partizanit. Nga Tirana kishte udhëtuar edhe një grup tifozësh të kuq për të përkrahur ekipin e tyre. Me pikën e marrë dje, Partizani renditet në vendin e katërt me pikë të barabarta me Tërbunin e vendit të tretë.
HIMARA -PARTIZANI  1-1 
GOLAT: Veshaj 75′ / Pashaj 90′+7′
HIMARA: Dergjini, Alo, Qëndro, Gjonbrati, Banushi, Idrizi (Prifti 30′), Veshaj (Gjondeda 90′+6′), Kuçi, Mumajezi, Dervishi, Skënderaj. Trajner: R.Nenaj 
PARTIZANI: Malaj, Duqi, Shala, Tafa, Pashaj, Thana, Agolli (Gjoka 60′), Sulçe, Roshi (Hithi 77′), Karakaçi, Braho (Nika 61′). Trajner: N.Çoçlli 
KARTONË TË VERDHË: Mumajezi 31′, Qëndro 36′, 88′, Veshaj, 75′, Banushi 90+1′ / Thana 81′, Hithi 85′, 
KARTON I KUQ: Qëndro 88′ (2v) 
DELEGAT: A. Mone (Tiranë) 
VËZHGUES: G. Gaçe (Tiranë) 
GJYQTARET: A. Koçi, F. Elezi, E. Velo (Durrës)
MINUTAT 
75′ Veshaj rrëmben një top në mesfushë dhe, duke përfituar nga një gabim në vendosje i mbrojtjes së Partizanit, avancon deri në kufijtë e zonës. Më pas gjuan saktë, duke shënuar, 1-0. 
90′+7′ Pashaj ekzekuton një goditje dënimi në mesfushë dhe topi i gjuajtur prej tij nuk ndalet nga askush, duke shkuar në rrjetë dhe 1-1.
Pjesa e parë - Ndeshja nisi me një minutë heshtje në nder të arbitrit Rigels Pjetrushi, i cili humbi jetën në një aksident automobilistik. Për sa u përket minutave të para të lojës, duhet thënë se ato kanë qenë mjaft të tensionuara, ndërsa shpeshherë himarjotët ankoheshin për vendimet e gjyqtarit. Arrihet deri aty sa edhe ofendohen zyrtarët e ndeshjes nga zv.trajneri Imeraj, i cili kërkon me të drejtë akordimet e goditjeve të dënimit. Për këtë ofendim trajneri nxirret jashtë nga fusha dhe loja vazhdon. Me kalimin e minutave Himara është më afër golit, por nuk finalizon dot aksionet sulmuese. Në minutën e 20-të vendësit kërkojnë penallti, pasi Thana ndërhyn ashpër ndaj Dervishit, por edhe këtë herë gjyqtari Koçi nuk akordon asgjë, por lejon vazhdimin e lojës. Dervishi dhe Skënderaj, me lëvizshmërinë e tyre, i krijojnë mjaft probleme mbrojtjes së Partizanit. Nga ana tjetër, Braho e mban Partizanin në sulm, i cili me një avancim prej 20 metrash hyn në zonë, shmang portierin dhe gjuan në drejtim të portës, por topi ndalet në shtyllën pingule dhe rikthehet në lojë për t’u spastruar nga mbrojtësi Qëndro. Në minutën e 44-t Veshaj hyn në zonën e Partizanit duke dribluar, por mbrojtësit e Partizanit e hedhin në tokë me ndërhyrje të gabuar, por sërish nuk ka asgjë. Në fushë ka tension midis lojtarëve, të cilët edhe preken me duar, duke i dhënë fund pjesës së parë.
Pjesa e dytë - Fraksioni i dytë i lojës nis më i qetë, por shumë shpejt qetësia do të prishet, pasi nervat janë më të forta në fushën e lojës. Partizani kontrollon pjesën e dytë dhe mendon të shtyjë përpara, duke lënë hapësira në mbrojtje, nga çka përfiton Himara që, me një kundërsulm të Veshajt, shënon golin e parë të takimit. Lojtari rrëmben një top në mesfushë dhe i drejtohet portës së Malajt, gjuan në afërsi të saj dhe e mposht “gardianin” e kuq, duke e dërguar topin shumë ngadalë në rrjetë. Pas pësimit të golit, Partizani zhvillon një lojë të rrëmujshme drejt sulmit me aksione të njëpasnjëshme, por pa shënuar. Goli do të vinte në minutën e 7-të shtesë, kur Pashaj do të ekzekutonte një goditje dënimi nga mesfusha dhe topi nuk do të ndalet nga askush, duke përfunduar në rrjetë.
Në fund ka sherr, tifozët gjuajnë me gurë
Pasi ka sinjalizuar fundin e takimit, gjyqtari kryesor Koçi është rrethuar nga forcat e rendit për t’u shoqëruar në dhomat e zhveshjes, por në këto momente ai është rrethuar edhe nga futbollistët e Himarës, të cilët i kërkojnë shpjegime për minutat e shtesës. Me lojtarët është bashkuar edhe stoli himarjot, duke e vënë nën presion gjyqtarin. Pankina himarjote nuk kursehet të ofendojë edhe tifozët e Partizanit, të cilët ishin bashkuar me ata vendës, që gjithashtu mbështetën të kuqtë. Këta të fundit nuk i kanë pritur mirë sharjet dhe kanë lëshuar një lumë gurësh në drejtim të himarjotëve, sa është dashur ndërhyrja e policisë për të stabilizuar situatën, e cila mund të degradonte edhe më tej.
Nenaj: Gjykimi ka folur për Partizanin
Trajneri i Himarës, Roland Nenaj, në përfundim të takimit ka qenë mjaft i irrituar me atë që ka ndodhur në fushën e blertë. Madje, ai ka deklaruar se Partizani nuk mund të fitojë gjithmonë me ndihmën e arbitrave. “Unë personalisht jam i pari që dua ngjitjen e Partizanit në Superiore, por nuk jam dakord në asnjë mënyrë që kjo ngjitje të vijë pa meritë. Kjo skuadër duhet të tregojë futboll në fushën e blertë dhe më pas të pretendojë. Skuadra ime është e re dhe ka si synim mbijetesën, por me gjykime si ky i sotmi, që ishte i njëanshëm dhe na mohoi dy 11-metërsha, gjithçka bëhet më e vështirë”, – nënvizoi tekniku Nenaj.
Çoçlli: Lojtarët të vlerësojnë fanellën
Numri një i pankinës së kuqe, Nikolin Çoçlli, ka deklaruar dje pas ndeshjes se lojtarët e tij tolerojnë shumë në fushën e blertë. “Luanim një ndeshje të cilën duhet ta fitonim me çdo kusht, por nuk ndodhi kështu. Personalisht jam shumë i kënaqur nga loja e ekipit, por jo nga rezultati, pasi nuk i takon ndeshjes. Lojtarët duket se ende nuk e dinë se çfarë fanelle mbajnë veshur dhe se kë klub përfaqësojnë, pasi i shoh që tolerojnë në fushë. U bëj thirrje të gjithë futbollistëve të mi që në vazhdim ta vlerësojnë emrin e Partizanit dhe të mos tolerojnë për asnjë çast, por të japin kurdoherë maksimumin”, – ka thënë Çoçlli në përfundim të takimit.
Paro Laçi
Në momentin që Partizani ka shënuar golin e barazimit, ka ardhur edhe festa në tribunën VIP. Aksionari Paro Laçi nuk është përmbajtur aspak. Ai ka nxjerrë nga xhepi një tufë parash, të cilat i hodhi në drejtim të stolit të skuadrës së tij, ku i mblodhën lojtarët. Ndërsa lojtarët e kuq festuan në mënyrë provokative ndaj atyre himarjotë, duke nxitur edhe një përplasje të vogël.
GERALD BREGU

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!