Më në fund humb Drenica
Rëndësia që ka secila pikë e fituar për Vëllaznimin dhe Drenicën dhe domosdoshmëria për fitore, ka bërë që ndeshja në mes të këtyre dy ekipeve nga fundi i tabelës, që u zhvillua të mërkurën në Gjakovë, të jetë një ndeshje e rënduar psikikisht, e në raste të caktuara edhe e tensionuar. Megjithatë, nga dy ekipet kuqezi, ishin gjakovarët ata që dolën triumfues pas 90 minutash, falë një goli të shënuar nga kapiteni Atdhe Gashi në minutën 71’, nga gjuajtja e lirë.
Personi më i tensionuar i takimit ka qenë trajneri drenicas Tahir Lushtaku, i cili dy minuta pa përfunduar koha e rregullt është përjashtuar nga loja për shkak të presionit dhe fyerjeve të njëpasnjëshme ndaj arbitrit anësor Driton Preniqi.
Tejet i frustruar me epilogun e ndeshjes, Lushtaku ka hedhur një varg akuzash. “Pritje më të keqe nuk kam parë ende askund. Loja përngjante me karatenë ndërsa referimi tepër i keq“, tha Lushtaku, i cili megjithatë në fund ka gjetur forcë për ta uruar ekipin kundërshtar për fitoren. Kjo ishte fitorja e parë për trajnerin e ri të gjakovarëve Malsor Gjonbalaj dhe humbja e parë e ekipit drenicak pas tetë ndeshjeve. “Nuk i marr rezultatet personale, as fitoret e as humbjet.
Ky është një sport kolektiv ku fitorja është e të gjithëve edhe humbja është e të gjithëve. Jam shumë i gëzuar që këta djelmosha e thyen njëfarë barriere që e kanë pasur dhe në këtë drejtim ka qenë edhe fokusi i punës sime, prandaj jam shumë i kënaqur, por megjithatë neve na mbetet shumë për të punuar”, tha Gjonbalaj. Ndryshe, përveç golit të bukur të Gashit, gjatë tërë rrjedhës së takimit nuk janë regjistruar më shumë se tre raste, dy prej të cilëve nga ekipi vendas.
Por, përkundër mungesës së rasteve, ajo që vlen të përmendet është angazhimi maksimal i
futbollistëve, në veçanti atyre mysafirë, të cilët lirisht mund të thuhet se kanë qenë më të mirë se kundërshtarët, por mungesa e fatit në shumë raste ka bërë që nga Gjakova të mos dalin me së paku një pikë të fituar.
Vëllaznimi 1
Drenica 0
Stadiumi i qyteti në Gjakovë. Shikues: 1500. Shënues: Gashi 71’. Arbitra: Tahiri, Preniqi, Mehmeti, Baliu.
Karton i verdhë: Rogova, Bushaj, Guci, Myrta, Statovci – Zariqi, Llapashtica
Vëllaznimi: Statovci, Yll Myrta, Kasapi, Gjeraj, Tetrica, Ylb. Myrta, Morina (Dervishi), Guci (Nikoliqi), Gashi ( Zeka ), Bushaj, Rogova – Trajner: Malsor Gjonbalaj
Drenica: Beqiri, Tahiraj, Zariqi (Deliu), Llapashtica, Rahmani, Geci, Dragusha, Bajraktari, Hamiti, Lushtaku, Hyseni - Trajner: Tahir Lushtaku
Category: Futboll