Merkatoja, Rosi, Eriksen dhe Perin bëjnë pakt me “Djallin”

Unknown | Friday, November 16, 2012 |

Drejtuesit e Milanit, të pakënaqur nga rezultatet e skuadrës kuqezi në kampionat, kanë nisur të rrëmojnë në merkato në kërkim të përforcimeve. Sipas së përditshmes “Corriere dello Sport”, paktin me klubin e “Djallit” gjatë hapjes së merkatos së janarit mund ta lidhin tre futbollistë. Bëhet fjalë për sulmuesin e Vilarealit, Xhuzepe Rosi; fantazistin e Ajaksit, Kristian Eriksen, dhe portierin e Peskarës, Matia Perin. Sakaq, le t’i analizojmë me radhë mënyrën se si po vepron Milani për t’iu afruar këtyre tre talenteve.

Xhuzepe Rosi - Për sulmuesin italian, përveç Milanit, interesohet edhe Interi. Futbollisti 25-vjeçar është gati të largohet nga Vilareali, ndërsa si synim ka rikthimin në Itali. Ndërkohë, vetë menaxheri i sulmuesit italian, Federiko Pastorelo, e ka konfirmuar një gjë të tillë: “Xhuzepe do t’i bashkëngjitet asaj skuadre që do t’i garantonte një projekt serioz. Nëse do të isha një president ambicioz, do të investoja me symbyllur tek ai. Milani interesohet për të, edhe pse ata e dinë pozicionin tonë, por le të shohim se çfarë do ndodhë…”. Duke qenë se Berluskoni është një president ambicioz, gjithçka të bën të mendosh se Xhuzepe do ta veshë fanellën kuqezi në fund të këtij viti.

Kristian Eriksen - Distanca ndërmjet Amsterdamit dhe Italisë nuk i ka ndalur drejtuesit e Milanit të udhëtojnë për kilometra të tëra për të parë talentin danez të Ajaksit, Kristian Eriksen. Fantazisti 20-vjeçar konsiderohet si trashëgimtari i Kakasë, ndërsa kartoni i tij kushton 15 milionë euro. Këtë shifër Milani do arrijë ta përfitojë nga largimi i Robinjos te Santos. Mbi mundësinë e transferimit të Eriksen në kampionatin italian ka folur vetë futbollisti: “Dua të provoj një eksperiencë tjetër jashtë Holandës. Jam një fans i Barcelonës, por do të më pëlqente shumë që të luaja edhe te Milani, meqenëse i vogël kam qenë një tifoz i çmendur pas kuqezinjve”.

Matia Perin - Drejtuesit e Milanit po mendojnë të rinovojnë edhe portierët kuqezi. Kristian Abiati aktualisht është 35 vjeç, ndërsa kontrata me Milanin i skadon në fund të këtij sezoni, kurse zëvendësi i tij, Marko Amelia (30 vjeç), deri tani nuk ka bindur me paraqitjen e tij. Pikërisht për këtë motiv drejtuesit e Milanit po interesohen për portierin 20-vjeçar të Peskarës, Matia Perin. Pavarësisht se Juventusi e masakroi duke i shënuar 6 gola, Perin deri tani ka treguar se është një portier me vlera, gati për të mbrojtur portën e një klubi të madh. Kartoni i tij aktualisht është pronë e Xhenoas, klub me të cilin kuqezinjtë kanë një raport të shkëlqyer.
Përgatiti: PARID AGOLLI

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!