Moto GP Stoner: Nuk pata emocione në garën e fundit të karrierës

Unknown | Thursday, November 15, 2012 |

Gara e fundit e Kejzi Stonerit në Moto GP nuk ishte nga më të bukurat e karrierës së kampionit australian, i cili përfundoi i treti me shumë vështirësi. 

“Kjo fundjavë ishte e tmerrshme për mua, ishte zhgënjyese si në pistë të thatë, ashtu edhe në pistë të lagur”, - theksoi piloti i Hondës zyrtare. “Ishte një garë e vështirë dhe mu duk shumë e gjatë. Isha nervoz dhe preferova ta merrja me qetësi kur kisha gomat e shiut, por fitova besim kur u tha pista”, - shtoi australiani, i cili zhvilloi garën e fundit të tij pasi ka vendosur që në moshën 27-vjeçare të tërhiqet nga garat e Moto GP për t’i kushtuar më shumë kohë familjes. 

Edhe lamtumira e australianit ishte e ftohtë, megjithëse gazetarët në sallën e konferencave për shtyp i dhanë një duartrokitje të gjatë: “Nuk ndjeva asnjë emocion të veçantë kur po zhvilloja xhiron e fundit. Mbase në javët në vazhdim mund të ndjej diçka. Gjithsesi, më bëhet qejfi që u ngjita në podium në garën time të fundit”.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!