Rusi-SHBA, “paqe” në minutën e fundit!
Përgatiti: Ergi Lubani
Mbyllet në barazim 2-2 miqësorja mes dy superfuqive të “Luftës së Ftohtë”. Amerikanët i prishin festën Kapelos gjatë kohës shtesë
Miks Diskrud shënoi në kohën shtesë duke i dhënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës barazimin 2-2 në miqësoren “e luftuar” ndaj Rusisë, në përballjen e parë mes dy superfuqive të “Luftës së Ftohtë”, që pas vitit 2000. Debutuesi Fjodor Smolov kaloi në avantazh rusët, pas vetëm nëntë minutash lojë, ndërsa amerikanët barazuan me golin e Majkëll Bradleit, pas 76 minutash, teksa ekipi i drejtuar nga Jurgen Klinsman luajti shumë mirë në pjesën e dytë të ndeshjes së zhvilluar në qytetin jugor Krasnodar.
Roman Shirokov shënoi sërish për vendasit me 11-metërsh dhe u duk se trajneri italian Fabio Kapelo do të festonte fitoren e pestë në po aq ndeshje në krye të Rusisë, por Diskrud, i aktivizuar në pjesën e dytë, vuri baraspeshën gjatë kohës shtesë. Amerikanët e pësuan që të fillim të transfertës ruse, kur goditja e Smolovit rezultoi e papritshme për portierin Tim Hauard. Por sulmuesi rus pësoi një tërheqje muskulore dhe e mbylli shumë shpejt debutimin e tij me përfaqësuesen.
SHBA-ja, që gjithashtu humbi kapitenin Karlos Bokanegra gjatë pjesës së parë për arsye dëmtimi, vuajti gjatë gjithë 45 minutave të para, sidomos për sa i përket qarkullimit të topit. Klarens Gudson, i cili u aktivizua në vend të Bokanegras, bëri goditjet e vetme të miqve në kuadrat, e kontrolluar lehtësisht nga portieri Gabulov.
Nga ana tjetër, Rusia pati dy mundësi të shkëlqyera për shënim, por Alan Xagoev u tregua i pasaktë me një goditje me kokë, ndërsa tentativa e Renat Janbajevit u neutralizua nga portieri Hauard. Kapelo aktivizoi disa debutues, mes të cilëve Denis Çerjshev, i cili luan në Spanjë me Real Madrid “B”, por ende nuk ka debutuar për ekipin e parë drejtuar nga Hoze Mourinjo.
Te amerikanët debutoi Xhoshua Gat, si shpërblim për kampionatin e shkëlqyer të luajtur me Molden, ku u shpall kampioni i Norvegjisë. Kur u mbush një orë lojë, SHBA nisi të luante si e barabartë dhe barazoi me anë të Bradleit. Mesfushori i Romës u gjend në vendin e duhur në momentin e duhur dhe tundi rrjetën pas një devijimi të topit nga Xhozi Altidore.
Emocionet vazhduan me penalltinë të shënuar nga Shirokov dhe barazimin rokambolesk të firmosur nga Diskrud. Një shtyllë-gol në kohë shtesë që vendos paqen mes dy superfuqive botërore. Për herë të fundit këto dy përfaqësuese ishin ndeshur 12 vjet më parë në Moskë, në miqësoren e fituar 2-0 nga Rusia.
RUSI 2
SHBA 2
Shënues: Smolov 9’, Shirokov 84’ (pen) / Bradlei 76’, Diskrud 90’
Rusi: Gabulov, Anjukov (Janbajev 59’), Iganisheviç, Eshenko, Berezutski, Kombarov (Xagoev 46’), Denisov, Shirokov, Kerzhakov (Glushakov 46’) , Kokorin (Dzuba 67’), Smolov (Grigorjev 11’) (Çershjev 80’). Tr: Kapelo.
SHBA: Hauard, Bokanegra (Godson 18’), F.Xhonson, Kamerun (Diskrud 87’), Çandler, Uilliams (Edu 73’), Xhons, Bradlei, H.Gomez (Kljestan 68’), Altidore (Boid 87’), Gat (Agudelo 63’). Tr: Klinsman.
Gjyqtar: Ricoli (ITALI)
Kartonë të verdhë: Shirokov, Kokorin, Glushakov / Godson, Kljestan, Bradlei.
Xherdan Shaqiri ka shënuar në minutën e fundit, duke i dhënë Zvicrës fitoren 2-1 ndaj Tunizisë që kishte mbetur me dhjetë futbollistë.
Çekia fitoi 3-0 në “derbin” e luajtur ndaj Sllovakisë në saj të dy golave të shënuar që në gjashtë minutat e para. Miqtë luajtën për 70 minuta me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Stok.
Kusher, qendërmbrojtësi i Shakhtjorit, ka vendosur fatet e miqësores Bullgari-Ukrainë, duke shënuar golin e fitores për miqtë në minutën e 34-t të pjesës së parë.
5 gola ka dhuruar miqësorja e luajtur në Shkup mes Maqedonisë dhe Sllovenisë. Vendasit fituan 3-2, ndërsa pjesa e parë u mbyll 2-0.
Finlanda ka shkatërruar Qipron duke fituar bindshëm, 3-0 në Nikosia me gola të shënuar nga Puki, Hetemaj dhe Kolehmainen.
24-vjeçari Muamer Svraka, në ndeshjen e tij të katër me kombëtare, ka shënuar në minutën e fundit, duke i dhënë Bosnjes fitoren 1-0 ndaj Algjerisë.
Category: Futboll