Shoshi, mungesa që kushtëzon formacionin

Unknown | Friday, November 16, 2012 |

Ndeshja e së shtunës kundër Teutës është mjaft e vështirë për mallakastriotët e drejtuar nga Agim Canaj. Formacioni këtë javë pritet të ketë ndryshime, sidomos në repartin e mbrojtjes. Duke parë që ekipi kundërshtar luan shumë i mbledhur dhe i mirëvendosur në fushë, tekniku vlonjat i Bylisit pritet të veprojë në të njëjtën mënyrë për të ndalur durrsakët. 

Mungesa e fierakut Maringlen Shoshi e kushtëzon formacionin, pasi mungon “shtylla” e mbrojtjes, i cili i ka zëvendësuesit e rrallë në skuadër. Vendi i tij në krahun e majtë të qendrës së mbrojtjes pritet të merret nga Ristevski, por besueshmëria te maqedonasi nuk është sa ajo tek Shoshi, ndaj pritet që të ketë një rreshtim prej pesë lojtarësh në prapavijën e Bylisit. 

Ndërsa sulmi këtë javë pritet të jetë me një futbollist. Trajneri po provon të ndërtojë shumë skema derisa të arrijë tek ajo më e mira. Ndërkaq ai i ka bërë me dije ekipit se kjo ndeshje është vendimtare, pasi e vendos Bylisin mbi mesin e artë të tabelës së klasifikimit, ose nën të. Megjithatë, motivimi për të dalë me pikë nga “Niko Dovana” është mjaft i madh për ballshiotët. 

Pritet që të ketë premio të majme në rast se të besuarit e Canajt do të marrin pikë në Durrës, shumë e cila nuk është bërë akoma e ditur. Gjithsesi stafi ka besim tek ekipi, ndaj në fushë ballshiotët do të dalin për ta fituar takimin e për të mos diskutuar humbjen. Teuta është një rival direkt për objektivat që ka Bylisi, kësisoj marrja e pikëve këtë herë është detyrim për stafin dhe lojtarët e ekipit mallakastriot.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!