Novi nostalgjik për Beratin, por nuk e diskuton fitoren

Unknown | Friday, November 16, 2012 |


Do të përballet me të shkuarën por, këtë herë ndryshe nga vite më parë, jo si lojtar, por si zv.trajner. Flasim për Neritan Novin, numrin dy të stolit të Luftëtarit, i cili në prag të ndeshjes me Tomorin duket nostalgjik. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” ai flet për të shkuarën e tij në Berat, qytet që e ka në zemër. Mirëpo, nga krahu tjetër, shpreh bindjen se në fundjavë festa do të shkojë për bluzinjtë. 
“Le të jetë fusha e lojës ajo që do të vendosë rezultatin e ndeshjes mes skuadrës sonë dhe Tomorit”. Ky është konkluzioni i zv.trajnerit, dikur një ish-futbollist i beratasve. Pavarësisht ecurisë me shumë oshilacione të të dyja skuadrave, në kampin bluzi të gjithë janë të vendosur për të mos dalë pa pikë. “Si ne, ashtu dhe Tomori do të synojë trepikëshin, pasi jemi në pozita jo fort komode në klasifikim. 
Personalisht për mua, ky rikthim në Berat më jep shumë kënaqësi, pasi do të kem mundësi që të takoj miqtë e mi më të mirë, duke filluar nga Muzhaj dhe të tjerë. Megjithëse, kjo nuk më largon nga objektivat, që do të thotë ne shkojmë vetëm për të triumfuar në atë stadium. 
Historikisht përballjet mes Luftëtarit dhe Tomorit kanë rezervuar ndeshje të bukura dhe emocionuese, pasi në përbërje të kontingjentit ka pasur futbollistë tepër cilësorë, që kanë shkruar me germa ‘të arta’ historinë e tyre të lavdishme. Shpresoj që edhe ky duel i radhës t’i përngjajë të shkuarës”, – tha fillimisht ndihmësi i Martinit.
Nostalgjia - Ruan nostalgjinë e viteve mbresëlënëse si futbollist në qytetin e tij të “zemrës”, Beratin, pasi kështu e konsideron. Kujtojmë që ai në sezonet 2002-2003; 2004-2005, ka mbrojtur ngjyrat e skuadrës beratase si lojtar. Mirëpo në pozitat aktuale, si trajner, kërkon veçse t’i mposhtë. “Edhe pse në Berat do të shkojmë me mungesa decizive si Shameti, Shenaj, Ramadani, Liçaj, falë potencialeve që kemi në kontingjentin tonë do të dimë të tregojmë se jo rastësisht kemi fituar përballë Kastriotit. Tomori është një ekip që luan futboll të bukur dhe mjaft luftarak, ndaj unë si një ish-beratas do të kisha dëshirë që verdiktin e sfidës ta vendoste fusha”, – përfundoi Neritan Novi.
PA KATËR TITULLARËLuftëtari ka vijuar përgatitjet edhe dje, teksa nën drejtimin e Edi Martinit po punohet për ndeshjen kundër Tomorit. Në seancën e djeshme, të diferencuar kanë qenë vetëm dy titullarë, qendërmbrojtësi Ylli Shameti dhe mesfushori Fejzo Shenaj, të cilët janë në proces rikuperimi. Mirëpo veç tyre që shihen si mungesa kundër beratasve, bluzinjve u shtohet edhe Ramadani për arsye dëmtimi, si dhe Liçaj që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
Tomorr Shehu

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!