Mesi mbetet “thatë” ndaj Arabisë së Rajkardit

Unknown | Friday, November 16, 2012 |

Lionel Mesi pati mundësinë të takohej sërish me njeriun që e promovoi në botën e futbollit, Frenk Rajkardin, por këtë herë si kundërshtarë. Trajneri holandez drejtonte Kombëtaren e Arabisë Saudite në miqësoren e djeshme ndaj Argjentinës. 

Tekniku i çelesteve, Alehandro Sabela, nuk kishte kursyer formacionin e tij më të mirë, përveç mungesave të detyruara prej dëmtimeve. Arabët menduan thuajse gjatë gjithë ndeshjes për t’u mbrojtur, duke iu nënshtruar supremacisë së kundërshtarit. Nga ana tjetër, argjentinasit patën mjaft raste për shënim, thuajse të gjitha të iniciuara nga këmbët e Lionel Mesit, por finalizimi ishte tepër i dobët. 

Edhe pse iu afruan disa herë golit të avantazhit, miqtë nuk ia dolën mbanë që ta gjenin asnjëherë rrugën e rrjetës, duke i dhuruar Arabisë Saudite shansin për të marrë një barazim historik. Në fakt, argjentinasit protestuan për një penallti në dëm të Serxho Agueros në minutat e fundit, por që arbitri i ndeshjes nuk e akordoi. Një barazim që “reklamon” shkëlqyeshëm punën e Rajkardit me kombëtaren modeste të futbollit, ndërkohë që nga ana tjetër Leo Mesi duket se i dha një shenjë falënderimi, duke mos i shënuar. 

“Jemi me fat që nuk pësuam gol. Ndihemi krenarë për këtë barazim, pasi ndalëm një nga skuadrat më të forta të historisë së futbollit. Ardhja e trajnerit Rajkard e ka rritur ndjeshëm nivelin tonë”, – ka thënë mesfushori arab Ahmed Atef pas ndeshjes.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!