Futbollistët e Prishtinës sulmohen nga tifozët serbë

Sinani | Tuesday, July 09, 2013 |

Mbrëmë pas orës 23, në qendër të Bernit, 50 metra larg stacionit të trenit, janë sulmuar tre futbollistë të Prishtinës, të cilët bashkë me klubin po qëndrojnë në Zvicër për fazën e parë përgatitore.
Sulmin e ka konfirmuar për ORAinfo lideri i tifozëve të Prishtinës, “Plisat”, Albert Kastrati – Tigri.
Ai ka thënë se futbollistët e sulmuar, të cilëve nuk ka dashur t’ua përmend emrin tash për tash, mbanin veshur fanella me logo të klubit. Derisa me këtë rast ka pësuar edhe gazetari i klubit, Avni Durmishi, i cili edhe është shtruar në spital.
“Sulmi është bërë nga 10 serbë, me gjasë tifozë të klubit zviceran Young Boys”, ka thënë Kastrati, i cili ka kërkuar që për këtë incident autoritetet e Kosovës dhe FFK-ja të kërkojnë sqarim nga zyrtarët e kryeqytetit zviceran.
Ndërkohë, kampioni i Kosovës në futboll, dje ka zhvilluar takimin miqësor në Zvicër, kundër skuadrës Koniz. ‘Djemtë’ e kryetrajnerit Afrim Tovërlanit shënuan fitore minimale, 1:0, me golin e mesfushorit Argjend Malaj.
Kjo ishte miqësorja e vetme që kishte për ta zhvilluar skuadra e Prishtinës në Zvicër, pasi që ndeshja me skuadrën e Schaffhausenit u anulua për shkaqe teknike.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!