Reali mbreti i Spanjës, ja sa miliardë dollarë për 72 blerje

Ismail Sinani | Tuesday, July 09, 2013 |

Që prej vitit 2000, Reali dhe Barcelona kanë shpenzuar më shumë para për të transferuar lojtarë të huaj se çdo klub tjetër në Spanjë.
Reali i Madridit ka transferuar 72 futbollistë në total, të cilët kanë kushtuar 1.186 miliardë dollarë. Nga këta, 22 janë blerë brenda kampionatit spanjoll (280.5 milionë dollarë ose 24% e shpenzimeve të merkatos). Ndërkohë, 47 futbollistët e tjerë janë afruar nga kampionatet e huaja dhe kanë kushtuar në total 905 milionë e 800 mijë dollarë, ose 76% e shpenzimeve të merkatos, shkruan Panorama Sport.
Rezultatet e studimit spanjoll paraqesin një tjetër situatë në kampin e rivalëve të Madridit.
Kështu, Barcelona ka blerë 10 lojtarë më pak këto 13 vite (62), të cilët kanë kushtuar 837.8 milionë dollarë.
Nga këta, 16 janë transferuar nga “La Liga” (221.1 milionë dollarë, 27%), ndërsa 46 të tjerët (616.7 milionë dollarë, 73%) janë afrime nga kampionatet e tjera.
Në Spanjë, këto shifra kanë trembur opinionin, pasi dëshmojnë edhe më fortë bipolaritetin e kampionatit spanjoll. Nëntë vitet e fundit vetëm Reali dhe Barcelona janë shpallur kampionë, ndërsa me përjashtim të sezonit 2007-2008, kur Vilareali u rendit në vend të dytë, këto skuadra janë renditur gjithnjë në vend të parë dhe të dytë. Për të mos përmendur 39 pikët diferencë mes Realit dhe vendit të tretë Valencia, që u shpall kampione një vit më parë dhe arriti rekordin e 100 pikëve. Nga viti 2000, “galaktikët” janë shpallur kampionë 5 herë ndaj 6 titujve të katalanasve.
Eksodi
Ajo që bie në sy, është edhe rritja e eksodit të lojtarëve spanjollë në kampionatet e huaja. Gjatë sezonit të fundit, 25 spanjollë kanë luajtur në Premier Ligë, 8 në Serie A dhe 6 në Bundesligë. Të ardhurat e të drejtës televizive janë përqendruar gjithashtu në duart e Realit dhe Barcelonës.
Sezonin e fundit, Reali kishte një buxhet prej 517 milionë dollarësh, (140 milionë prej të cilave buruan nga shitja e së drejtës televizive), ndërkohë që Barcelona kishte një buxhet prej 470 milionë dollarësh (140 milionë prej të drejtës televizive).
Në Gjermani është Bajerni që përfiton më shumë nga e drejta televizive 35 milionë dollarë, ndërsa Bundesliga ka një raport më të balancuar të shpërndarjes së këtyre të ardhurave, sepse skuadra që u shpërblye më pak ishte Këlni me 14 milionë dollarë.
Premier Liga gjeneroi 927 milionë dollarë në total, ndërsa 70% e këtyre të ardhurave shpërndahen në mënyrë të barabartë, ku çdo klub përfiton minimalisht 45 milionë dollarë.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!