Champions, Play-Off: Sfidat e sotme

Lina's | Tuesday, August 27, 2013 |

Uefa Champions League rikthehet sot me 5 nga 10 ndeshjet e kthimit të fazës Play-Off të këtij kompeticioni, ku do të mësohen emrat e parë që do t’u bashkohen skuadrave më të mirë europiane në fazën e Grupeve. 

Pas fitores së thellë 3-0 të arritur në Stamboll, për Arsenalin sfida në shtëpi me Fenerbahçen mbetet thjeshtë një formalitet. Gjithsesi, të besuarit e Arsene Wenger kanë luksin të luajnë për të kënaqur dhe kthyer besimin e tifozëve londinezë, që ende shpresojnë në goditjen e orës së fundit në merkaton e kësaj vere. 

Paok Selanik, ku luan edhe talenti i përfaqësues shqiptare Ergys Kaçe, është përpara një momenti historik për të kualifikuar në fazën e grupeve, teksa në sfiden e parë në "Veltins Arena" ka marrë një barazim 1-1, duke befasuar skuadrën gjermane në shtëpinë e saj. 

Dinamo Zagreb, një pjesëmarrëse e rregullt e fazës së grupeve dy vitet e fundit, do të kërkoi mrekullinë në fushën e Austrisë së Vjenës, e cila në stadiumin "Makshimir" regjistroi një fitore të papritur 0-2, që e detyroi presidentin Mamiç të shkarkonte trajnerin Jurçiç. 

Ëndrra e Ludogorest në Champions League duket se është venitur që në sfidën e parë në Bullgari, ku Basel fitoi me rezultatin 2-4, teksa në ndeshjen e kthimit faktori fushë i minimizon në maksimun mundësitë e bullgarëve për të bërë mrekullinë. 

Gjithçka e hapur në në kryeqytetin polak Varshavë mes Legias dhe Steaua Bukuresht, pavarësisht se rezultati 1-1 i përballjes së parë duket se favorizon vendasit. Gjithsesi statistikat tregojnë se rumunët nuk shquhen për përmbysjen e rezultatin kur barazojnë në shtëpi. /albeu.com/

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!