Ibrahimovic ftohet nga Republika Srpska!

Lina's | Wednesday, August 21, 2013 |

Zlatan Ibrahimovic dhe Marko Marin pritet të ftohen nga përzgjedhësi i ri i Republika Srpska, Zeljko Buvaq për sfidën miqësore ndaj Serbisë këtë fundvit. Buvaq është duke menduar një fillim të madh për karrierën e tij të re si përzgjedhës i Përfaqësueses së Republika Srpska. 

Ndihmëstrajneri i Jurgen Kloppit te Borussia Dortmund pritet që gjatë këtij viti ta bëjë debutimin e tij si përzgjedhës i Republika Srpska, debutim i cili pritet të sjell shumë risi. Në një intervistë dhënë për ‘Blic’, Buvaq ka treguar se e ka në plan t’i ftojë në skuadër dy yjet e futbollit botëror, sulmuesin e Paris St Germain, Zlatan Ibrahimovic si dhe anëtarin e huazuar te Sevilla nga Chelsea, Marko Marin. 

Buvaq ka theksuar se do ta shikojnë mundësinë për të gjetur një termin të përshtatshëm për të zhvilluar një miqësore me Serbinë në fund të këtij viti, në mënyrë që t’ia mundësojnë Ibrës të vijë për të luajtur. “Ne e dimë kush është Ibrahimovic në botën e futbollit dhe ai do të jetë në planet tona nëse nuk ka angazhim me Përfaqësuesen e Suedisë.

Në fillim ne do ta bëjmë një listë më të zgjeruar me emrat e të gjithë futbollistëve që janë nga zona jonë dhe të cilët kanë krijuar karrierë jashtë”, ka deklaruar ndihmësi i Kloppit. “Plani ynë është që ta bëjmë një skuadër për Republika Srpska me yje të mëdhenj, lojtarë të afirmuar dhe talentë të cilët ende nuk e kanë treguar veten e tyre, nga brenda dhe jashtë ligës tonë”, ka shtuar Buvaq. 

Zlatan Ibrahimovic ka lindur në Suedi, teksa është boshnjak mysliman. Babai i tij, Shefik Ibrahimovic është i lindur në qytetin Bijeljina, që është qyteti i dytë më i madh në Republika Srpska, teksa nënën e ka kroate nga Zadari. Gjithsesi, Ibra zgjodhi të luante me Përfaqësuesen e Suedisë me të cilën deri tash ka shënuar 44 gola në 91 paraqitje. /Fish Media/ 

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!