Januzaj një Cristiano Ronaldo i ri për Manchester!

Lina's | Wednesday, August 21, 2013 |

Është vetëm 18 vjeç, por sytë janë të drejtuar nga ai. Adnan Januzaj është tashmë në qendër të opinionit publik në Shqipëri, Belgjikë dhe Angli, lidhur me çështjen e zgjedhjes së skuadrës përfaqësuese. Por përtej kësaj dileme, talenti shqiptar i lindur në Belgjikë, ndodhet edhe në “presionin” e vlerësimeve që po merr nga trajnerë dhe specialistë futbolli.

I fundit në radhë është trajneri legjendar i Manchester United, Eric Harrison, i cili ka qenë “mësuesi” dhe ndihmësi i parë i Sir Aleks Fergusonit edhe gjatë fazës së krijimit të klasës së 1992-it, me yjet si David Beckham, Nicky Butt, Paul Scholes, Ryan Giggs dhe vëllezërit Neville, të cilët shkruajtën historinë e tyre te “Djajtë e Kuq”. Harrison ka thënë se Adnan Januzaj mund të jetë Cristiano Ronaldo i ri i Manchester. 

Harrison ka mbetur i impresionuar me talentin e Januzaj gjatë turneut parasezonal me “Djajtë e Kuq”. Januzaj shkëlqeu gjithashtu edhe në “Old Trafford” në ndeshjen e organizuar për nder të Rio Ferdinandit kundër Sevilla. “Januzaj është një futbollist i magjishëm dhe mendoj se është i njëjtë sikur Cristiano Ronaldo. Ai mund të kalojë pa probleme kundërshtarët dhe së bashku me Zahanë, mendoj që i shtojnë shumë cilësi skuadrës”, – ka thënë Harrison. Mirëpo, për rastësi, lidhja e Januzajt me Ronaldon nuk përfundon këtu. 

Djaloshi i ri nga Istogu ka të njëjtën ditëlindje me portugezin dhe me yllin e Barcelonës, Neymar. Të tre kanë lindur me 5 shkurt. Januzaj ka luajtur edhe në ndeshjen e Superkupës me United, ku zëvendësoi autorin e dy golave të fitores, Van Persi.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!