Kasami e ‘tradhtoi’ Shqipërinë, zgjodhi Zvicrën!

Lina's | Saturday, August 24, 2013 |

Pajtim Kasami e ka zgjedhur përfaqësuesen e Zvicrës, të cilën preferon ta prezantojë para Shqipërisë. Futbollisti shqiptar nga Maqedonia tregon se prioritet i tij mbetet ekipi Helvetik dhe se do t’i pranonte Kuqezinjtë vetëm nëse selektori Ottmar Hitzfeld nuk llogarit në të. “Unë dua të luaj për Zvicrën. 

Kam pasur një bisedë të gjatë me Hitzfeldin para pushimeve. I kam thënë se do të luaj për Shqipërinë vetëm nëse Zvicra nuk llogarit në mua”, ka thënë Kasami për të përditshmen zvicerane Blick. Në ndeshjen e parë me Fulhamin këtë sezon ai e shënoi golin e vetëm dhe të fitores 1-0 në Sunderland. 

Menjëherë pas kësaj, Kasamit i kanë dërguar miqtë e tij nga Shqipëria copa të prera gazetash. Sipas tij, media shqiptare shkruan se do të luajë për ekipin e tyre kombëtar. Mirëpo, ai i hedh poshtë këto spekulime.

“Shkrimet janë të rreme. Unë kurrë nuk kam folur me gazetat shqiptare. Dhe kurrë nuk kam folur me Federatën shqiptare. Por natyrisht, unë dëgjoj nga Shqipëria se do të më donin mua në Kombëtare”, vazhdoi ish futbollisti i Lazios dhe Palermos, i cili nuk preferon ta ndjek rrugën e Amir Abrashit, Shkëlzen Gashit, Burim Kukelit, Migjen e Vullnet Bashës, që janë bërë pjesë e Kombëtares shqiptare, edhe pse ndoshta kishin mundësi të bëheshin ‘zviceranë’. 

Synim i radhës i numrit 10 të Fulhamit është që të luajë ndaj Shqipërisë në muajin tetor. Lojën e ardhshme, Zvicra e ka më 6 shtator kundër Islandës. “Kjo do të ishte e mirë, natyrisht. Por, qëllimi im më i madh është të luaj në tetor ndaj Shqipërisë, me Zvicrën. 

Kam qenë i pikëlluar në ndeshjen e parë (ndaj Shqipërisë), në shtëpi, duke e parë atë në televizor. Për ato lojëra jeton një futbollist”, vijoi ai. “Unë jam në Londër dhe shpesh më janë afruar shqiptarët duke më pyetur pse nuk luaj për ta tani. Pra, kjo është e mirë, sepse ata e pëlqejnë lojën time, por unë dua të bëhem pjesë e Zvicrës”, përfundoi Kasami. /Fish Media/ 

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!