Derbi i Atleticos (VIDEO)

Unknown | Sunday, September 29, 2013 | 0 Komente

Atletico Madridi ka arritur ta mposhtë Real Madridin pas shumë vitesh në derbin madrilen në La Liga, edhe atë para tifozëve në Santiago Bernabeu me rezultat 1-0.

Po zhvillohej minuta e 11-të kur ekipi mysafir kaloi në epërsi. Pas një lëvizjeje të bukur te Kokes, Diego Costa heshti tifozët vendas në stadium.

Los Blancos u angazhuan menjëherë në përpjekje për të barazuar me rastet e Di Marias dhe Benzemas, ndërkohë që Tiago ka mundur ta dyfishojë epërsinë e ‘Atletëve’, të njëjtën ka mundur ta bëjë edhe Godin në rastin e tij.

Në fraksionin e dytë, Ancelotti inkuadroi në lojë Gareth Bale (Di Maria) dhe Luka Modric (Illarramendi), mirëpo përkundër dominimit në posedimin e topit, Mbretërit nuk ishin të aftë të bëheshin më të rrezikshëm se rivalët.

Nga ana tjetër, Diego Costa nuk u dha asnjë moment qetësie mbrojtësve vendas, Pepe e Sergio Ramos, gjatë gjithë sfidës.

Kur po afrohej fundi i takimit, Koke la nën hije Khediran dhe gjuajti, por për fatin e Diego Lopezit ishte shtylla. Menjëherë pas, u desh intervenimi i Courtois për të mbrojtur goditjen e Alvaro Moratas.

Kjo ishte fitorja e parë e Bardhekuqve në La Liga përballë rivalit lokal që nga viti 1999. Ata fituan në sezonin e kaluar në Kupën e Mbretit, por në kampionat kishte vite që nuk e shijonin fitoren.

Kjo humbje e lë Real Madridin pesë pikë prapa liderëve, Barcelona dhe Atletico Madrid. /Telegrafi/

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...