Januzaj nuk do luajë për Shqipërinë

Unknown | Tuesday, October 01, 2013 | 0 Komente

Adnan Januzaj ka pak shanse të veshë fanellën e Shqipërisë në të ardhmen. Këtë e ka konfirmuar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, i cili ka zbuluar një prapaskenë interesante sa u përket negociatave me talentin kosovar të Manchester United. 

“Ka pak shanse që Januzaj të luajë me Shqipërinë në të ardhmen. Ai e ka derën të hapur në çdo moment. Por, duke marrë shkak nga mënyra se si kanë ecur bisedimet deri tani, duhet të jemi realistë për situatën. 

Gjatë një bisede që kemi pasur me babanë e lojtarit tetë muaj më parë, ai ka thënë se nuk ka kurrfarë interesimi nga ana e Januzajt dhe e familjes së tij që lojtari të luajë me Shqipërinë”, ka deklaruar Shulku në “Ora News”. 

Drejtuesi i lartë i FSHF-së ka deklaruar se tetë muaj më parë është zhvilluar një takim mes Dukës, De Biasit, Shulkut dhe babait të Januzajt, porse ky i fundit ka qenë i prerë. “Tetë muaj më parë jemi takuar personalisht me babanë e futbollistit. Normalisht që duhet të vepronim kështu, sepse Januzaj nuk i kishte mbushur 18 vjeç dhe duhej të zbatojmë disa procedura. 

Biseduam me babanë e tij, por ai tha se nuk kishte asnjë interes nga Januzaj që të luante me Shqipërinë. Nuk mund të them me saktësi se cila është dëshira e lojtarit, por ama familja e tij na e bëri të qartë qëndrimin. Prej atëherë negociatat kanë qenë të hapura, por nuk ka pasur asnjë zhvillim që të hapë ndonjë rreze shprese se situata mund të ndryshojë”, – deklaroi Shulku, transmeton Albeu.com. 

Numri 2 i FSHF-së ka theksuar se dera e Kombëtares shqiptare mbetet e hapur për Januzajn. “Ne nuk i kemi thënë askujt ‘jo’. Kush e ka merituar ekipin përfaqësues, e ka veshur fanellën kuqezi. 

Januzaj është një talent i madh dhe ne e mirëpresim atë në të ardhmen, por vendosa ta sqaroj situatën e tij, sepse shoh që mediatikisht gjërat janë koklavitur shumë dhe është krijuar ideja se ai ka zgjedhur Shqipërinë zyrtarisht, por në fakt nuk është kështu”, u shpreh Shulku. /Fish Media/

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...