Shqipëria, në pritje të përgjigjes së De Biasit

Unknown | Wednesday, October 02, 2013 | 0 Komente

Federata Shqiptare ia ka përmirësuar kushtet financiare Gianni De Biasit në ofertën për kontratën e re, ndërsa është në pritje të përgjigjes. Presidenti Armando Duka thotë se rritja prej 10 për qind e rrogës ishte mundësia maksimale e institucionit që ai e drejton, derisa ka kërkuar mirëkuptim nga trajneri italian. Ndërkohë, kreu i futbollit shqiptar e ka konfirmuar Lorik Canën kapiten të Kuqezinjve.

Armando Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) po e bën të pamundurën që selektori Gianni De Biasi ta vazhdojë kontratën me Kombëtaren shqiptare.

Trajneri italian është në hamendje nëse do t’i udhëheq Kuqezinjtë edhe në eliminatoret për Evropianin 2016, teksa kontrata e tij do të skadojë këtë vit.

Duka, në një intervistë dhënë televizionit ‘Al Report’, ka treguar se institucioni që ai e drejton, ia ka përmirësuar kushtet ish trajnerit të Udineses dhe pret sa më shpejt të jetë e mundur përgjigje nga italiani.
“Ne ia kemi propozuar De Biasit një ofertë ekonomike më të mirë se sa ajo që kishte dhe presim që ai të thotë PO ose JO. Nuk është puna se ne do të bëjmë negociata ekonomike, pasi këto janë mundësitë tona. E thashë, ne kemi ofruar duke e ditur dashurinë që kanë shqiptarët për Kombëtaren dhe rëndësinë që ka ekipi kombëtar, shifra financiare të mëdha dhe të dhimbshme për FSHF, që nuk mund t’i tejkalojmë”, ka thënë numri 1 i futbollit shqiptar.

“Ne nuk e kemi vënë në presion. Realisht, ofertën për ta rinovuar për edicionin e ardhshëm De Biasit ia kemi dhënë që para dy ndeshjeve dhe të njëjtin mendim konstant e kemi pasur edhe pas dy ndeshjeve. Nuk është se kemi gjykuar emocionalisht, sepse realisht ne jemi të bindur që puna e tij ka qenë e mirë, pavarësisht se ne edhe mund të shkojmë në vend të parafundit apo atë të dytë”, vijoi Duka.

Ai insiston se FSHF nuk mund ta ndryshojë ofertën, edhe nëse ka dëshirë, duke i pasur parasysh mundësitë e saj financiare. Sipas Dukës, De Biasi i di fort mirë shifrat e ofertës së re dhe ka kërkuar kohë deri në marrjen e vendimit.

Kreu i FSHF-së tregon se De Biasit i është rritur rroga për 10 për qind, një shumë e lartë kjo e shtëpisë së futbollit shqiptar, prandaj kërkon mirëkuptim nga trajneri italian.

Në fund, Duka siguroi se kapiteni i Kombëtares shqiptare mbetet Lorik Cana, pasi mendon se futbollisti gjakovar e meriton më së shumti këtë epitet, për atë që bën për Kuqezinjtë, brenda dhe jashtë fushës. /Express/Telegrafi/

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...