Zbulohen fjalët e Mourinhos pas humbjes 5-0 nga Barca
Ish-portieri i Real Madridit, Jerzy Dudek, ka zbuluar atë që ka ndodhur në zhveshtoren e klubit mbretëror pas humbjes prej 5-0 nga Barcelona në El Clasico para dy sezonëve.
Humbja 5-0, apo La Manita konsiderohet humbja më e rëndë në historinë e klubit mbretëror dhe Dudek i ka përshkruar momentet pas ndeshjes në librin e tij të titulluar, “Nën Presion”.
“Ishte kaos në zhveshtore. Disa lojtarë po qanin, të tjerët po grindeshin, ndërsa disa shikonin vetëm në dysheme. Mourinho më pas hyri në zhveshtore. Ai e ka ditur se ajo që i kishte ndodhur ekipit të tij ishte e tmerrshme”.
“Ne e shikuam atë dhe ai tha: ‘Unë e di që kjo ju dhemb. Ndoshta për shumë prej juve është humbja më e keqe në karrierë. Ata janë të kënaqur tani dhe duket se e kanë fituar titullin, por ata e kanë fituar vetëm një ndeshje. Ky është vetëm fillimi. Është edhe rrugë e gjatë drejt titullit”.
“Nesër e keni pushim, por mos qëndroni në shtëpi. Shkoni me familjet tuaja, fëmijët dhe miqt për një ecje të lirë nëpër qytet. Le të shohin njerëzit se mund të tejkaloni këtë. Ndoshta njerëzit do të flasin për vlerën e kësaj humbje, por mos u fshihni prapa saj. Ju duhet të tregoni se jeni burra. Pas kësaj humbje, ne duhet të luftojmë për titullin’”, ka thënë Mourinho sipas Dudek.
Po atë vit kur Barcelona e mposhti Realin me rezultat 5-0, ekipet u takuan edhe në disa ndeshje tjera ku triumfuan katalanasit. Barcelona në fund u shpall edhe kampione. Sot, Real Madridi është kampion i Spanjës dhe ekipi që ka arritur të gjunjëzojë Barcelonën pas gjithë atyre disfatave, disa të ndikuara edhe nga gjyqtarët. Ky ekip është i Jose Mourinhos.
Category: Futboll
0 Komente