Kukësi mposht Besën në çdo drejtim, merr vendin e dytë

Unknown | Thursday, November 15, 2012 |


Nga Bashkim SHALA
Me 3 gola të shënuar në pjesën e dytë, kuksianët kanë treguar se nuk janë aspak ekipi surprizë i këtij kampionati. Tashmë janë pas kampionëve në fuqi në renditje  

Kukësi – Besa          3-0
Shënues: Biskup 47’, Popoviç 67’, Progni 70’
Kukësi: Halili, Peqini, Malakarne, Malota, Hallaçi, Allmuça, Biskup, Progni (Malo 88’), Alikaj (Jevdeviç 87’), Malindi (Mziu 80’), Popoviç. Trajner: A.Cungu.
Besa: Hoxha, Kaja, Krasniqi, Pocuca, Abraham, Poçi (Mustafa 60’), Batha, Rroshi, Dita (Hasa 66’), Xhihani (Mihani 57’), Sefa.
Trajner: I.Berati.
Gjyqtarë: L.Jemini, G.Qirici (Tiranë), G.Koka (Lezhë)
Kartonë të verdhë: Poçi, Abraham, Batha, Dita, Krasniqi, Mustafa Karton i kuq: Krasniqi
“Radiografia”
5’ – Progni jep sinjalin e parë, por nuk gjen kuadratin e Hoxhës.
11’ – Goditje dënimi për kuksianët. Gjuan me kokë Alikaj, largon mbrojtja mike.
20’ – Progni fut një top të rrezikshëm në zonë, grushton me mjeshtëri Hoxha.
25’ – Xhihani ka rastin më të pastër për shënim, por i vetëm me portierin gjuan jashtë.
30’ – Alikaj provon të godasë portën kavajase, por topi përfundon jashtë.
47’ – Goditje dënimi për Kukësin. E ekzekuton Alikaj dhe Biskup me kokë shënon golin e parë. 1-0.
52’ – Malindi, i vetëm me portierin Hoxha, nuk arrin ta kalojë atë.
59’ – Biskup godet me thembër një top të ardhur nga goditja e këndit, pret Hoxha.
67’ – Popoviç shfrytëzon një gabim trashanik të Krasniqit brenda  zonës dhe shënon golin e dytë.
70’ – Progni gjuan në ecje e sipër jashtë zonës dhe topi përfundon në rrjetën e Hoxhës.
72’ – Mihani gjuan, por nuk gjen kuadratin e portës së Kukësit.
76’ – Krasniqi merr kartonin e dytë të verdhë dhe e lë Besën me 10 vetë.
77’ – Alikaj ekzekuton një goditje dënimi, pret Hoxha.
78’ – Popoviç, i vetëm me portierin Hoxha, gjuan jashtë.
86’ – Allmuça gjuan fort, grushton Hoxha.
90’ – Mihani ekzekuton me mjeshtëri një goditje dënimi, por Halili grushton po me mjeshtëri.
Kukësi mposht Besën në të gjitha drejtimet dhe merr vendin e dytë në tabelë. Kuksianët kanë hyrë në fushë të vendosur për fitore dhe ia kanë arritur qëllimit, ndërsa kavajasit nuk treguan asgjë në këtë ndeshje, ku rrezikuan vetëm një herë seriozisht me anë të Xhihanit. Kukësi e ka zotëruar lojën dhe ka krijuar shumë raste.
Pjesa e parë
Progni jep sinjalin e parë pas 5 minutash lojë, por nuk arrin të gjejë kuadratin, ndërsa kavajasit mundohen të përfitojnë nga goditjet standarde. Alikaj provon me kokë, por pa rezultat, ashtu si dhe Progni më pas. Besa provon me Rroshin, por nuk ka problem për Halilin.
Portieri Hoxha reagon bukur pas një topi të gjuajtur nga Progni. Të njëjtën gjë bën edhe në gjuajtjen e Allmuçës, ndërkohë që në minutën e 25-të vjen rasti më i mirë për kavajasit. Sefa jep një top të saktë me kokë për Xhihanin, i cili, i vetëm me portierin Halili, gjuan jashtë kuadratit. Alikaj rrezikon dy herë, po ashtu edhe Allmuça, por Hoxha është i pakalueshëm dhe pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura.
Pjesa e dytë
Kjo pjesë fillon me gol për vendësit. Alikaj harkon në zonë nga një  goditje dënimi dhe kroati Biskup shënon me kokë nga afër. Edhe më pas është Kukësi, që e zotëron lojën dhe Malindi, i vetëm me portierin Hoxha nuk arrin të shënojë. Biskup provon të shënojë një gol të bukur me thembër, por i vëmendshëm është Hoxha.
Goli i dytë për Kukësin shënohet nga serbi Popoviç, i cili përfiton nga një gabim fatal i Krasniqit, që del huq. Pas këtij goli mbrojta kavajase është shthurur dhe 3 minuta më pas pëson golin e 3-të. Progni, lojtari më i lëvizshëm në fushë, gjuan në ecje e sipër dhe topi në formë parabële shkon në rrjetën e Hoxhës.
Në minutat e mbetura kavajasit provojnë me Mihanin, por pa rezultat. Në minutën e 76-të mbrojtësi Krasniqi merr kartonin e dytë të verdhë, për ndërhyrje të gabuar ndaj Malindit, dhe e lë Besën me 10 lojtarë. Miqtë janë totalisht të çorierentuar dhe Kukësi i ka të gjitha mundësitë të shënojë golin e 4-t, por Popoviç shpërdoron. Edhe Allmuça nuk arrin të shënojë dhe gjithçka mbyllet 3-0. Një fitore plotësisht e merituar e Kukësit.
Cungu: I përgëzoj djemtë për këtë ndeshje shumë të mirë
“Ishte një ndeshje tepër e rëndësishme për ne, për vetë pozitat në tabelë. Ishte e domosdoshme fitorja dhe e realizuam. Gjej rastin të falënderoj djemtë për këtë ndeshje shumë të bukur që zhvilluan, duke kënaqur tifozërinë kuksiane. Tash besoj se janë bindur të gjithë se futbolli i Kukësit nuk është “katenaço”, sepse po shënojmë dhe jo pak, por 3 gola. Ekipi ka krijuar një fizionomi në lojën mbrojtëse dhe atë sulmuese. Jemi në vend të dytë dhe është vështirë ta mbajmë këtë vend. Megjithatë, besoj tek ekipi, pasi futbollistët janë të gjithë profesionistë”.
Daja: Mund ta administronim më mirë topin
”Nuk kam qenë afër ekipit, pasi dihet që trajner problematik në futbollin shqiptar jam unë. Megjithatë, mendoj se nuk kemi bërë një ndeshje të keqe, edhe pse humbja mund të ishte më e thellë. Kemi një ekip me moshë të re dhe, me pësimin e golit të dytë, që ishte gabimi i një mbrojtësit tonë, gjithçka përfundoi. Nuk mund të rregullonim asgjë në mbrojtje, pasi i kishin bërë të gjitha ndërrimet. Pjesën e parë futbollistët bënë më të mirën, ndërsa në pjesën  e dytë u shthurëm. Mendoj se atë që mund të kishim bërë më mirë në këtë ndeshje, ishte administrimi i topit, pasi shpesh shikonim që ja linim inicitaivën kundërshtarit”. 

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!