Takaj: Respekte Kastriotit, por jemi të detyruar të fitojmë
Nga Leonard Trebicka
Për presidentin e kampionëve, Ardjan Takajn, ndeshja e radhës është më vështirë se ajo me Flamurtarin, por ai ka besim se skuadra do ta kalojë me sukses
Korçarët janë 100% të përqendruar te ndeshja e së dielës me Kastriotin. Kruja është një nga transfertat më të vështira, madje presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, e cilëson më të fortë se sfidën me Flamurtarin më 21 nëntor. Pavarësisht këtij fakti, objektivi i vetëm i kampionëve është fitorja.
Stafi teknik është duke punuar me shumë kujdes për ndeshjen me krutanët, që e konsideron vendimtare. Presidenti Takaj, duke folur për “Sportin shqiptar”, e parashikon kështu ndeshjen me Kastriotin: “Në fundjavë kemi një ndeshje vërtet të vështirë në Krujë me Kastriotin vendës.
Mendoj se është një 90-minutësh më i vështirë se ai me Flamurtarin, që do ta luajmë në fushën tonët. Sidoqoftë, e them me bindje se do t’ia dalim. Jemi të “dënuar” ta fitojmë edhe këtë ndeshje jashtë fushe, pasi në këtë moment nuk na ndalon dot asnjë ekip. E kemi marrë kryesimin që në javën e parë dhe do ta mbajmë deri në fund.
Futbollistët janë të përqendruar maksimalisht te ndeshja e së dielës, sepse e kemi të qartë se Kastrioti është një skuadër shumë e fortë. Ka lojtarë shumë të mirë, prandaj duhet të kemi kujdes në çdo moment. Gjithsesi, kam shumë besim te skuadra, aq më tepër që do të jemi të kompletuar për këtë ndeshje. Pres fitoren e radhës edhe në këtë transfertë”.
Flamurtari Kurse për ndeshjen me Flamurtarin, që do të luhet mesjavën e ardhshme në Korçë, presidenti Takaj tha: “Mendoj se shtyrja e ndeshjes me Flamurtarin ka qenë në dëmin tonë, pasi jemi në një formë vërtet të mirë dhe dy javë pushim janë shumë. Por ne do të bëjmë detyrën tonë edhe ndaj Flamurtarit javën e ardhshme. Më qartë do të flasim pas së dielës, por ju premtoj gjithë korçarëve se edhe vlonjatët do t’i mposhtim. Skënderbeun nuk e ndal kush në rrugën e titullit kampion”.
Category: Futboll